E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: BE të tejkalojë problemet politike kundrejt Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se fillimi i dialogut për liberalizim të vizave, sinjalizon se Kosova nuk do të mbetet i vetmi vend i izoluar në rajon, ndërsa shtoi se ky proces duhet të ndiqet me përparime edhe në fusha të tjera, kryesisht në vendosjen e marrëdhënies kontraktuale me BE-në, duke gjetur mënyrën për tejkalimin e problemeve politike të shkaktuara nga mosnjohja e Kosovës nga 5 vende anëtare të BE-së.

Këto komente ajo i bëri gjatë një takimi me drejtorin menaxhues për Evropën dhe Azinë Qendrore në Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme, Miroslav Lajçak.

Presidentja ka theksuar se “përfundimi i procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë është sukses i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve ë Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”.

Ajo shtoi se institucionet e Kosovës do të realizojnë të gjitha obligimet e tyre kushtetuese dhe do të marrin përsipër detyrat e tjera që do të ndihmonin largimin e suksesshëm të Zyrës Civile Ndërkombëtare deri në fund të këtij viti.

Ndërkaq duke folur për dialogun me Serbinë, Jahjaga ka thënë se
“moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë po shkakton tensione të reja në Kosovë dhe po e dëmton legjitimitetin e institucioneve”.

Nga ana tjetër, Lajçak, tha se dialogu i Kosovës me Serbinë është i rëndësishëm për të dyja vendet dhe shprehu interesimin e tij për zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga ky proces.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›