E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora bllokon akset nacionale izolohen komunat në veri e jug

Reshjet e dendura të borës të rëna dy ditët e fundit kanë krijuar probleme në disa zona të vendit. Kështu në qarkun e Dibrës si pasojë e dëborës është bllokuar rruga nacionale Peshkopi-Tiranë si dhe komunat Trebisht, Kala e Dodës, Lurë, Sllovë, Ostren, Zerçan, Muhur, Macukull, Xibër.
 

Sipas informacioneve disa automjete kanë mbetur të bllokuara në Qafën e Buallit ku trashësia e dëborës ka arritur në 60 cm. Ndërkohë mësohet se borëpastrueset po punojnë për zhbllokimin e rrugëve por kanë hasur në vështirësi pasi reshjet e dëborës vijojnë ende të bien.

Probleme nga dëbora ka edhe në qarkun e Korçës ku qarkullimi i automjeteve në rrugët nacionale bëhet vetëm me zinxhir. Kështu sipas informacioneve më të fundit vështirësi ka në akset rrugore Korçë-Pogradec, Korçë-Kapshticë, Pogradec-Qafë Thanë dhe Korçë-Ersekë.
 

Mësohet se në zonën e Gërmenjit në Ersekë trashësia e dëborës ka arritur në 80 cm ndërsa në Qafë Thanë dëbora ka arritur në 40 centimetra.  Gjithashtu edhe zona turistike e Dardhës mbetet e bllokuar ku trashësia e dëborës arrin në 60 centimetra.

Të bllokuara mbeten komunat Moglicë, Lekas Vithkuq,Trebinjë, Miras, Proptisht, Barmash, Novoselë, Leskovik si dhe rruga që lidh vendin tonë me Greqinë në autostradën Egnatia. Mësohet gjithashtu se aksi Kozanë-Selanik është i bllokuar prej 20 orësh për qarkullimin e kamionëve.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›