E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Kosova, rrugë të qartë drejt integrimeve euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mbështet Qeverinë në vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit. Duke folur për vizitën në Nju Jork, ajo ka thënë se ishte mjaft e suksesshme, dhe ka shtuar se Kosova ka rrugë të qartë drejt integrimeve euroatlantike.
 

“Kosova do të ketë një rrugë të qartë drejt integrimeve evropiane, drejt anëtarësimit në NATO dhe do të ketë një rrugë të qartë, që të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha organizmave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare”, u shpreh ajo, për të shtuar se gjatë qëndrimit në Nju Jork është takuar me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun, sekretaren amerikane të Shtetit znj. Klinton, ish sekretaren e shtetit, znj.Ollbrajt dhe përfaqësues të tjerë të shteteve të tjera.
 

Përsa i përket qëndrimit për Mitrovicën, ajo thekson se Kosova është vend i pavarur, dhe se ka sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare e të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare.
 

“Kurse vendimet apo veprimet e fundit që ishin nga Qeveria e Kosovës që kanë përkrahjen time të plotë, janë në përputhje me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Kosovës dhe janë në përputhje edhe me konventat ndërkombëtare. Ne nuk mund t`ia lejojmë as vetes, mirëpo kjo nuk është në përputhje as me dëshirën e partnerëve tanë ndërkombëtarë që Kosova të konsiderohet sidomos në tri komunat në veri të Kosovës, të konsiderohet ta themi si një zonë e hirtë e operimit të krimit të organizuar dhe të kontrabandës”, vlerësoi presidentja kosovare.

Sipas saj, synimi i qeverisë është sundimi i rendit dhe ligjit, të veprojë në tërë territorin e Kosovës dhe institucionet e saj kanë tolerancë zero ndaj aktiviteteve negative.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›