Paralajmërimi i Berishës: Ndëshkim komunave që ndotin mjedisin

Nëse komunat dhe bashkitë nuk mbajnë të pastër ekologjikisht territorin adminsitrativ, që mbulojnë kryetarët, rrezikojnë shkarkimin nga detyra. Paralajmërimi i prerë ka ardhur nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar.
“Do të kenë sanksione deri në shkarkim nga detyra nëse nuk marrin masa për territorin e tyre. Kryetari i komunës apo i bashkisë nuk ka asnjë detyrë tjetër përveçse pastrimit të territorit”, ka theksuar Berisha.
Ndërkaq, kryeministri ka kërkuar që të ngrihet një portal më transparent në lidhje me marrëdhëniet administratë-biznes, duke kërkuar që të përcaktohen të gjitha burimet, që ky portal të jetë një nga më të suksesshmit.
Nga ana tjetër, kryeministri Berisha ka kërkuar që të hiqen të gjitha pikat e grumbullimit të automjeteve, të cilat janë jashtë funskionit ndërsa theksoi se do të ketë edhe penalizime për pronarët e automjeteve. Gjithashtu kreu i qeverisë është ndalur në fjalën e tij tek eksportet, për të cilat tha se në 8 muajt e parë të këtij viti, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet arritën në 25 miliardë lekë ose në mbi 250 milionë dollarë.