Jahjaga: Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve janë të papranueshme

Ish-presidenti çek Vaclav Havel e vlerësoi punën e presidentes Jahjaga në udhëheqjen e shtetit të Kosovës dhe tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahës i proceseve integruese të Kosovës.
Ai shfaqi interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë dhe për rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Kurse presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e falënderoi ish- presidentin çek Havel për mbështetjen e tij dhënë Kosovës në të gjitha periudhat dhe tha se përkrahja e Republikës së Cekisë për Kosovën ka një rëndësi të veçantë.
Jahjaga theksoi se për Kosovën është e nevojshme vendosja e marrëdhënies kontraktuale me BE-në, që do të ndihmonte përshpejtimin e reformave të brendshme, zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe do të hapte perspektivën e qartë për vendin.
Ajo tha se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht në tërësinë e saj tokësore dhe tha se ndarja, shkëmbimi i territoreve, ri aranzhimet e brendshme territoriale, ose Ahtisaari Plus janë të papranueshme.
Në këtë rast, presidentja Jahjaga tha se Propozimi Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisaari ofron vetëqeverisjen optimale për serbët në Kosovë pa marrë parasysh se në cilën komune të Kosovës jetojnë.
Presidentja e Republikës së Kosovës gjatë ditës ka marrë pjesë në punimet e Konferencës të organizuar nga Forumi 2000, ku ka takuar një numër zyrtarësh të shteteve dhe pjesëmarrës të konferencës si dhe ka dhënë intervista për një numër të medieve çeke.
Ndërkaq në ditën e tretë të Konferencës, presidentja Jahjaga do të mbajë një fjalë në Institutin Gëte në temën “Krimi i organizuar modern”.