E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po, i thonë Cooperit

Kryeministri Thaçi priti Robert Cooper’in, të dërguarin e Baroneshës Ashton për dialogun teknik Kosovë-Serbi.

(E plotësuar) Autoritetet e Prishtinës janë të gatshme të vazhdojnë dialogun me Beogradin.

Ky është konkluzioni që ka dalë pas takimit që Robert Cooper zhvilloi me Kryeministrin Hashim Thaçi, i cili shoqërohej nga Zëvendëskryeministret Edita Tahiri, Mimoza Kusari dhe Ministrja Vlora Çitaku.

“Dialogu për çështje teknike me Serbinë është rrugë përmes së cilës të dy shtetet do të mund të zgjidhin çështjet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të interesit të ndërsjellë të qytetarëve të të dyjave vendeve”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë, të lëshuar pas takimit.

“Kryeministri Thaçi falënderoi z. Cooper për punën e tij si lehtësues i dialogut dhe përsëriti qëndrimin parimor të Qeverisë së Republikës së Kosovës se dialogu është vlerë europiane dhe Kosova është e gatshme të dialogojë me të gjithë fqinjët lidhur me zgjidhjen e problemeve praktike ndërshtetërore, në këtë kuadër edhe me fqinjin verior Serbinë”, thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë.

Kryeministri Thaçi theksoi se Kosova ka treguar përgjegjshmëri të lartë në procesin e dialogut, të cilin vlerësim e ndajnë edhe Brukseli dhe Washingtoni.

“Kosova e ka platformën e qartë me vijat e kuqe të cilat janë pavarësia, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Republika e Kosovës tanimë është e gatshme për të thelluar marrëdhëniet formale me Bashkimin Europian duke i plotësuar të gjitha standardet dhe kriteret e domosdoshme të integrimit dhe anëtarësimit”, vazhdon komunikata.

Cooper në Qeveri

Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në dialogun teknik, Kosovë-Serbi, Robert Cooper ka filluar takimet me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës.

Takimi ka nisur në orën 17:00 dhe po vazhdon ende.

Cooper po qëndron në Prishtinë

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, Robert Cooper është duke zhvilluar një takim me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Vizita e tij në Prishtinë, realizohet pas vizitës që i bëri Beogradit zyrtar.

Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike, Edita Tahiri ka konfirmuar për Kosovapress, se gjatë takimit të hënën në Prishtinë ndërmjetësi Cooper do t’ua bëjë me dije autoriteteve të Kosovës kushtin e palës serbe për vazhdimin e dialogut.

Shefi i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq ka thënë pas takimit me ndërmjetësin e BE-së Robert Cooper, se dialogu me Kosovën do të vazhdojë vetëm pas hapjes së bisedave për pikat kufitare në veri.

Dialogu i sponsorizuar nga BE u ndërpre më 27 shtator pas një vale të re të dhunës në veri të Kosovës ku popullata lokale serbe, ka ngritur barrikada të reja në shenjë kundërshtimin ndaj shtrirjes së kontrollit të Prishtinës zyrtare edhe në këtë pjesë të vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›