Dialogu për liberalizimin e vizave nis në dhjetor

Lajmin e ka bërë me dije për “Epokën e re” një burim ndërkombëtar.
“Si rezultat i plotësimit të kushteve, siç janë miratimi i ligjeve nga Ministria e Drejtësisë, kryerja e detyrave të tjera nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Integrimit Evropian (MIE) dhe ministritë e tjera nga mesi i muajit dhjetor (nga 13 deri më 17 dhjetor), kur do të mbahet takimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, komisioneria Cecilia Malmstrom do ta propozojë fillimin e dialogut për liberalizim të vizave për Kosovën, propozim ky që pritet ta marrë mbështetjen e ministrave”, ka thënë i njëjti burim.
Për fillimin e dialogut për liberalizim të vizave brenda këtij viti optimistë janë shprehur edhe ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi dhe ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Vlora Çitaku. Ata kanë thënë se institucionet e vendit i kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe si rezultat i kësaj presin të fillojë sa më shpejt dialogu për liberalizim të vizave.
Ministri Rexhepi ka deklaruar se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës është duke u zhvilluar me dinamikën e paraparë, falë punës dhe përkushtimit të të gjitha institucioneve të vendit, në veçanti ministrive përkatëse.
Edhe ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Vlora Çitaku, ka thënë se si rezultat i punës së shtetit të Kosovës nuk ka asnjë dyshim se brenda këtij viti do të fillojë dialogu për liberalizimin e vizave.
“Kjo nuk është një dhuratë që po i bëhet Kosovës, përkundrazi shtetit tonë i është dashtë të punojë shumëfish më shumë se të gjitha vendet e tjera të rajonit për ta nisur procesin e liberalizimit të vizave dhe ky është një proces të cilin ne e kemi merituar plotësisht”, ka deklaruar ministrja Çitaku. (Telegrafi)