E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Nuk kemi marr instruksione për dialog politik

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka thënë se liderët e vendit nuk kanë marr instruksione në New York për nisjen e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, por, siç ka thënë ajo, dialogu është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjithashtu, ajo ka thënë se unitetit i spektrit politik në vend ka ekzistuar gjithmonë kur është bërë fjalë për interesat nacionale të Kosovës, ndërsa ka përmendur edhe vijat e kuqe të cilat i ka Kosova për çështje të brendshme, të cilat nuk i diskuton me asnjë shtet, e në veçanti me Serbinë.

Ajo këto komente i bëri gjatë një konference për media të martën në lidhje me Samitin Ndërkombëtar të Gruas që do të mbahet më 4 tetor me temën: “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”.

Presidentja e vendit, e pyetur nga mediat se çfarë instruksione ka marr delegacioni i Kosovës në New York në lidhje me fillimin e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë ajo ka mohuar të kenë marr instruksione, por, sipas saj ,dialogu duhet të vazhdoj si dy shtete fqinje.

“Instruksione nuk ka pasur, por ne siç kemi deklaruar herave të tjera dialogu, procesi i dialogut vetëm ka filluar nga viti i kaluar dhe është arritur një sërë i marrëveshjeve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Dialogu jo vetëm që është mënyra më e mirë të themi, por është mënyra e vetme që ne si dy shtete që kemi pasur një të kaluar nuk ka qenë edhe aq e lehtë duhet të ndërtojmë një të ardhme që është në funksion të mirëqenies së qytetarëve tanë në të dyja anët e kufirit pastaj kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe i kontribuon fqinjësisë së mirë dhe gjithsesi i kontribuon edhe rrugës evropiane për të dyja shtetet tona”, ka theksuar Jahjaga.

Për më tepër, ajo ka shtuar se Kosova i ka përcaktuar qëndrimet e veta të cilat janë të qarta se në këtë proces do të paraqitet si shtet i pavarur, si shtet sovran, ndërsa varet nga shteti tjetër se si dëshiron paraqes vetveten.

Jahjaga ka thënë se gjithmonë ka ekzistuar uniteti në Kosovë.

“Sa i përket aspektit të unitetit ju vetëm e keni parë në Kosovë gjithmonë ka pasur unitet institucional dhe politik për të gjitha çështjet madhore që kanë ndodhur për shtetin tonë dhe për vendin tonë dhe qytetarët tanë. Mirëpo në një çështje jemi të gjithë unik dhe nuk ka askush kundër kësaj që çështjet e brendshme të Kosovës janë të brendshme të Kosovës dhe janë të pa dialogushme dhe pa diskutueshme me askënd dhe asnjë shtet tjetër”, ka deklaruar ajo.

E para e vendit ka thënë se është ende herët të flitet se kush do të udhëheq ekipin dialogues të Kosovës, por ajo ka thënë se nëse bëhet fjalë për interesin e shtetit të Kosovës, ajo mund të udhëheq këtë dialog.

“Ende nuk është përcaktuar dhe mund të them se është shumë herët të spekulojmë për aspektin e grupeve kush do të jetë në këto ekipe kush mund të bisedoj dhe kush mund të dialogojë. Por unë e kam thënë edhe herave të tjera se si presidente e Republikës së Kosovës jam e gatshme të takohem me çdo homolog timin gjithmonë duke pasur parasysh dhe duke ju përmbajtur Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe si dy shtete të barabarta”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Në lidhje me paralajmërimet e baroneshës Catherine Ashton, e cila ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten për vendime të vështira, presidentja ka thënë se Kosova i ka vijat e kuqe të cilat nuk i diskuton me asnjë shtet.

“Nuk dua të flas në emër të baroneshës Ashton mirëpo atë çka mund të them është se ekzistojnë disa vija të kuqe të përcaktuar nga vet qytetarët e Republikës së Kosovës nga institucionet e Kosovës, asnjë çështje e brendshme e shtetit tonë nuk do të jetë pjesë e diskutimit me asnjë shtet tjetër e aq më pak me Serbinë”, ka theksuar e para vendit.

Shpeshherë zyrtarët ndërkombëtar thonë që po hyhet në një fazë historike të normalizimit marrëdhënieve. Edhe pse nacionalistët serb janë në pushtet presidentja Jahjaga nuk shqetësohet. As ndaj deklaratave të tyre, pasi, sipas saj, nuk është hera e parë që dëgjohen deklarata të tilla.

Sipas saj, kjo është një retorik e vazhdueshme me të cilën, të gjithë janë mësuar. “Kosova është e qartë në qëndrimin e saj. Kosova është shtet sovran, shtet i pavarur dhe ka integritet territorial tanimë të pranuar ndërkombëtar dhe deklaratat e tilla të kujt do që lëshohen janë për konsumim të brendshëm dhe nuk kanë ndikim as në shtetin tonë as te bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë presidentja. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›