E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: S`do të ketë ndarje të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar sot në Zagreb se nuk do të ketë ndarje të Kosovës e as shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit me homologun kroat, Ivo Josipoviç, Jahjaga ka kërkuar nga pakica serbe në veri të Kosovës që t`iu shmanget grupeve ilegale, sepse ato, sipas saj, pengojnë vendosjen e rendit dhe punojnë kundër ligjit dhe politikës ndërkombëtare.

Jahjaga ka thënë se e ardhmja e Kosovës, Serbisë dhe e tërë rajonit është në integrimet euro-atlantike, deri te të cilat “mund të arrihet vetëm me bashkëpunim dhe jo me probleme”.

E pyetur për të ardhmen e dialogut Prishtinë-Beograd, presidentja Jahjaga ka thënë se qëndrimi i Prishtinës është që të vazhdojë dialogu, nëse marrëveshjet e arritura realizohen.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar.

Në nëntë raunde diskutimesh janë arritur shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›