E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Synojmë plotësimin e standarteve për anëtarësim në KE

PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë takimit me Raportuesin e Komitetit për Çështje Politike të Këshillit të Evropës mbi situatën në Kosovë, Bjorn von Sydow, theksoi se, "Kosova synon përmbushjen e të gjitha standarteve për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale".

"Stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti në gjithë rajonin janë vizion i qartë i Kosovës dhe vlerësoi se të gjitha vendet duhet të respektojnë dhe zbatojnë standardet evropiane", tha Presidentja Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, u shpreh se, "stabilizimi i gjendjes në veriun e Kosovës do të ndihmojë qytetarët e komunitetit serb dhe se barrikadat ose ndarja e Kosovës nuk janë rruga e integrimeve evropiane".

Raportuesi për Kosovën i Këshillit të Evropës, Bjorn von Sydow, shfaqi interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë në të gjitha fushat e në veçanti për të drejtat të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve. "Kosova ka një popullatë të re me potencial të madh dhe asaj i duhet zhvillim më i madh ekonomik", theksoi Sydow duke shtuar se, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm, por ka nevojë për reforma në fusha të ndryshme.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›