E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza në Eurozonë, Gjermania paralajmëron Greqinë

GJERMANI- Gjermania paralajmëron Greqinë se plani për shpëtimin e saj nga falimentimi nuk mund të rinegociohet.

Deklarata është bërë pak më parë nga shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle dhe vjen vetëm pak orë përpara bisedimeve urgjente mes Greqisë, Gjermanisë dhe Francës, pas vendimit të kryeministrit Papandreu për të mbajtur një referendum për marrëveshjen e arritur me BE-në.

“Ajo cka kemi rënë dakord javën e kaluar nuk mund të rivendoset në tavolinë”,- ka thënë Westerwelle.

Nga ana tjetër ministri gjerman i financave Wolfgang Schäuble kërkon që Greqia të heqë dyshimet "sa më shpejt të jetë e mundur për drejtimin që dëshiron të marrë", pas shpalljes së një referendumi mbi plan europian të mbështetjes.

"Plani që u vendos javën e kaluar në Bruksel, përmban elemente kyç për një project të dytë ndihme në Greqi," tha ministri gjerman i Financave duke kërkuar që qeveria greke të vendosë shpejt për drejtimin që dëshiron vendin e saj.

"Ne besojmë se Greqia është e vetëdijshme për përgjegjësitë e saj dhe se do të përputhet me vendimet e marra bashkërisht dhe unanimisht," tha Schäuble në një intervistë për një gazetë gjermane."Do të ishte e dobishme që Greqia të heqë dyshimet sa më shpejt të jetë e mundur për drejtimin që dëshiron të marrë," tha ai.

Kryeministri grek Papandreu takohet nesër në Francë me presidentin francez Sarkozi dhe kancelaren gjermane Merkel. Dje Sarkozi tha se vendimi i Papandreut ka suprizuar të gjithë Europën.

Qeveritë e dy vendeve më të mëdha të Eurozonës, Francës dhe Gjermanisë kanë deklaruar se kërkojnë implementim të plotë të marrëveshjes së arritur me Greqinë.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›