Jahjaga: Takimi me Nikolliqin, ndihmon dialogun

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar sot me Kryeministrin Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministrja e Integrime Evropiane, Vlora Çitaku dhe nga Koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënie të Kosovës dhe Serbisë, Blerim Shala.
Në këtë takim, Thaçi e ka informuar Jahjagaën për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, për takimin e fundit të kryeministrave të dyja shteteve dhe për marrëveshjet e arritura në secilën fushë.
Presidentja Jahjaga, siç theksohet në një komunikatë për media të Presidencës, tha se “takimi i paradokohshëm ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel ishte një sukses në arritjen e marrëveshjeve, që jep kontribut në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë dhe në përmirësimin e jetës dhe të punës së qytetarëve të dyja vendeve dhe në rrugën tonë të integrimeve evropiane”, raporton "Zeri".
“Takimi ndërmjet Presidentëve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, që do të mbahet së shpejti, është përkrahje për gjithë procesin e dialogut që po udhëhiqen nga Qeveritë e të dyja vendeve dhe të zbatimit të marrëveshjeve të arritura”, është shprehur Jahjaga.
Presidentja dhe kryeministri u morën vesh për emërimin e Shefit të Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, ambasador nga Shërbimi Diplomatik i Republikës së Kosovës./Indeksonline/