Jahjaga: Të tejkalohen problemet politike të BE-së karshi Kosovës

Ajo ka bërë këto komente gjatë një takimi me drejtorin menaxhues për Evropën dhe Azinë Qendrore në Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme, Miroslav Lajçak.
Presidentja ka theksuar se “përfundimi i procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë është sukses i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve ë Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”.
Ajo shtoi se institucionet e Kosovës do të kryejnë të gjitha obligimet e tyre kushtetuese dhe do të marrin përsipër detyrat e tjera që do të ndihmonin largimin e suksesshëm të Zyrës Civile Ndërkombëtare deri në fund të këtij viti.
Ndërkaqë duke folur për dialogun me Serbinë, Jahjaga ka thënë se “moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë po shkakton tensione të reja në Kosovë dhe po e dëmton legjitimitetin e institucioneve”.
“Bëj thirrje që procesi i dialogut të jetë më transparent dhe me llogaridhënie dhe që BE-ja të veprojë jo vetëm si lehtësues i dialogut por edhe si garantuese e marrëveshjeve që arrihen gjatë këtij procesi”, ka thënë ndër të tjera presidentja Jahjaga.
Nga ana tjetër, Lajçak, tha se dialogu i Kosovës me Serbinë është i rëndësishëm për të dyja vendet dhe shprehu interesimin e tij për zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga ky proces.