S’janë kërkah
Ndërmjetësi i BE’së në bisedimet Kosovë –Serbi Robert Cooper ka kompensuar një vizitë të martën në Prishtinë, që i ka dështuar disa ditë më parë, për shkak të motit të keq.
Shefja e delegacionit të Kosovës kishte insistuar që britaniku me çdo kusht ta vizitojë edhe Prishtinën për shkak se, sipas saj, opinioni do ta keqkuptonte mosardhjen e ndërmjetësit në kryeqytet pas vizitës që ai ka bërë në Beograd.
Por pavarësisht kësaj, qëndrimet e palëve rreth çështjes së përfaqësimit rajonal që aktualisht është edhe tema kryesore në bisedimet Kosovë –Serbi, nuk kanë lëvizur fare.
Kryeneogociatorja Edita Tahiri, e cila ka folur në një konferencë për media pas takimit, ka shpjeguar se dy delegacionet janë shumë larg marrëveshjes.
“Qëndrimi i palës serbe mbetet i njëjtë, që vazhdojnë të insistojnë në Rezolutën 1244 dhe për ne vijë e kuqe është që nuk pranojmë çfarëdo reference në Rezolutën 1244”, ka thënë Tahiri.
Shefja e delegacionit të Kosovës është shfaqur kategorike kur është fjala për Rezolutën 1244.
“Ajo që unë ju garantoj, është që marrëveshja për bashkëpunimin rajonal bëhet e pranueshme për ne vetëm me këto kushte, që Kosova të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran. Institucionet e Kosovës të përfaqësohen në bashkëpunimet rajonale të nënshkruajnë për dallim nga e kaluara që i ka bërë UNMIK’u me Rezolutën 1244. Nuk pranojmë çfarëdo reference në Rezolutën 1244”, ka thënë Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri megjithatë nuk ka qenë edhe aq kategorike kur ka folur rreth pranisë së fjalës “Republikë” në shenjat e emrit të shtetit, kur Kosova të përfaqësohet në forume rajonale.
Ajo ka thënë disa herë e pala kosovare do të përfaqësohet si shtet dhe e barabartë me vendet e tjera.
Derisa çështjen e fjalës Republikë, e cila është përmendur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka trajtuar në këtë mënyrë:
Qeveria e Republikës së Kosovës, e as unë si kryenegociatore nuk kemi bërë asnjëlloj tërheqjeje, as nga Republika, as nga asnjë pozicion që lidhet me vijat e kuqe të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Më pas, ka replikuar ndaj Vetëvendosjes.
“Ne nuk kemi bërë tërheqje nga Republika, por Vetëvendosja ka bërë tërheqje nga pozicioni i saj për bashkim”, ka shtuar Tahiri.
Edita Tahiri ka akuzuar mediat se kanë keqinterpretuar deklaratat e saj, kur është fjala për mungesën, ose jo të fjalës Republikë, rreth marrëveshjes së bashkëpunimit në fjalë.
E, kur i është referuar modelit Maqedoni –Greqi, në të cilin, sipas të gjitha gjasave, pritet të bazohet edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal, Tahiri ka thënë se Maqedonia nuk e ka hequr fjalën Republikë.
“Modeli i Maqedonisë ka të bëjë me përdorimin e fusnotës, për sa i takon fusnotës, një realitet rajonal, edhe Maqedonia nuk ka hequr dorë nga Republika”, ka thënë ajo.
Ajo ka përjashtuar çdo mundësi se ka marrëveshje mes palëve, duke përmendur edhe qëndrimin e ndërmjetësit Cooper.
“Në këtë fazë, Cooper po merr propozimet e dy palëve, edhe sot u konstatua se kemi qëndrime shumë të largëta”, ka thënë ajo.
Zëvendëskryeministrja duket se është nervozuar paksa nga përfoljet që janë shfaqur në opinion ditëve të fundit.
Në këtë kontekst ajo ka folur për të kaluarën e saj duke u përpjekur të thotë se nuk do të bëjë marrëveshje në dëm të vendit.
Ka thënë se njerëzit që janë aktualisht në Qeveri janë “liderë të luftës për pavarësi” derisa gazetarëve u ka thënë se “mos pyetni çka bën shteti për ju, por ti çka bën për shtetin”.
Pasi ka cituar sentencën e ish–Presidentit të SHBA’së, John F. Kennedy, ka folur edhe si mësimdhënëse në konferencë për media.
“Tash po ju flas edhe si mësimdhënëse, çdo çështje që bëhet, duhet të bëhet bashkë, edhe interesi nacional është yll polar për çdo qytetar të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Tahiri ka shpjeguar se gjatë takimit me Cooperin, ka folur edhe për marrëveshjet që tashmë kanë filluar të zbatohen duke akuzuar palën serbe se nuk po e zbaton si duhet marrëveshjen për lëvizjen e lirë.
Ajo ka përsëritur që marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit të nënshkruhet deri më 10 shkurt dhe të fillojë të zbatohet menjëherë.
“Protokolli teknik do të jetë i ngjashëm, sikur i modelit të Muriqanit, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sepse edhe marrëveshja e IBM-it ndjek konceptin e njëjtë të ndërtimit të ndërtesave të përbashkëta E tëra bëhet mbi Traktatin e Lisbonës”, ka thënë ajo.