E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga, apel qytetarëve: Mos bllokoni rrugët

PRISHTINE- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave.

Në një deklaratë të lëshuar nga kabineti për informim i zyrës së presidentes, thuhet se paralajmërimi i Lëvizjes Vetëvendosje për organizimin e protestave paqësore, për bllokimin e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, dhe për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe të Dheu i Bardhë,  ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave dhe për efektin e këtyre veprimeve.

E drejta e qytetarëve për të protestuar dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje është e drejtë legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës. Organizimi i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje, ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e protestës, citohet të ketë thënë presidentja Jahjaga.

Përcaktimin e Vetëvendosjes për të dalë në rrugë, Jahjaga nuk e sheh si shterje të mundësive të veprimit brenda institucioneve të vendit.

Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, thotë mes tjerash presidentja Jahjaga.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›