Jahjaga e Thaçi urojnë mësuesit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentja Atifete Jahjaga kanë uruar mësuesit për festën e 7 Marsit.
Në deklaratë për media, kryeministri Thaçi u shpreh se vetëm një ditë më parë, në mbledhje të Qeverisë është marrë vendim që edhe tri universitete publike t’i shtohen Kosovës.
“Mitrovica, Gjilani dhe Gjakova do të jenë qendrat e reja të edukimit të lartë. Ky është vetëm njëri nga angazhimet tona, për të jetësuar këtë prioritetet të rëndësishëm, avancimin përmbajtjesor të kushteve dhe të cilësisë në edukim. Punonjësit e arsimit në Kosovë kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve që mbrojtën identitetin kombëtar dhe realizuan krijimin e shtetit të pavarur, të lirë dhe demokratik të Kosovës”, u shpreh Thaçi.
Sipas tij, vetëm arsimimi do të forcojë themelet e një shteti evropian për Kosovën dhe për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë.
“Duke iu uruar këtë ditë të rëndësishme, në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, jam i nderuar të ritheksoj përkushtimin tim dhe të qeverisë që drejtoj për të krijuar kushte dhe mundësi të mëdha për të gjithë qytetarët tanë në edukim”, thuhet në deklaratën e Thaçit.
Ndërkaq edhe Presidentja Jahjaga ka vlerësuar lartë punën dhe kontributin e mësimdhënësve kosovar, si shtyllat kryesore të zhvillimit të shtetit të Kosovës.
“Dita e Mësuesit shënon një nga datat më të rëndësishme në historinë e gjatë e të vështirë të arsimit shqip.
Në këtë ditë të rëndësishme, janë mësimdhënësit dhe gjithë punonjësit e tjerë të arsimit ata që meritojnë respektin dhe nderimin e madh për punën e palodhshme që bëjnë për edukimin e brezave.
Më 7 Mars kujtojmë breza të tërë të mësimdhënësve, të cilët, edhe në kohët më rënda të historisë sonë, nuk u ndalën asnjëherë në punën e tyre madhore për edukimin e arsimimin e brezave të rinj.
Sot mësimdhënësit janë gjithashtu në krye të punës së tyre shumë të rëndësishme e fisnike, duke qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shtetit tonë të ri. Ndaj edhe u takon respekti dhe falënderimi ynë i përhershëm”, thuhet në urimin e Jahjagës./Indeksonline/