Jahjaga e gatshme të takojë këdo në mbrojtje të interesave të shtetit

Kjo përgjigje nga presidenca pason paralajmërimin e presidenti malazez, Filip Vujanovic, se do të ftojë presidentin e Serbisë Tomislav Nikolic në takimin e shefave të shteteve të rajonit, në të cilin do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se Jahjaga, përfaqëson shtetin e Kosovës në takimet dhe vizitat zyrtare.
“Samiti i Presidentëve i vendeve të Ballkanit është tradicional dhe deri tash është mbajtur në Vlorë, në Prizren dhe në Ohër. Kësaj radhe, ky forum i rëndësishëm rajonal, që ngre çështje të bashkëpunimit dhe avancimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore, në cilësi të barabartë si shtete të pavarura dhe sovrane, zhvillohet në Mal të Zi”, ka thënë Vllahiu per Evropen e Lire.
Ai ka shtuar gjithashtu se “presidentja Jahjaga do të takohet me te gjithë homologët e saj dhe këtë e ka deklaruar sa e sa herë”.
“Deri tash Serbia i ka bojkotuar këto Samite për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës. Shpresojmë qe Presidenti i Serbisë Nikolic, ashtu siç kemi deklaruar me rastin e zgjedhjes se tij, ta gjejë guximin dhe kurajën që të bëjë atë që nuk e kanë bërë paraardhësit e tij: të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me shtetin e Kosovës, që do të ndihmonte dy vendet tona të pavarura të ecin në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë Vllahiu.
Vujanovic fton Jahjagën dhe Nikolicin në takimin e Presidentëve të rajonit
Presidenti malazez, Filip Vujanovic ka paralajmëruar se do të ftojë Presidentin e Serbisë Tomislav Nikolic në takimin e shefave të shteteve të rajonit, në të cilin do të marrë pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Vujanovic ka thënë se Mali i Zi deri në fund të vitit do të jetë nikoqir i Samitit të kryetarëve të Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës dhe se do ta ftojë edhe Nikolicin që të marrë pjesë në këtë takim.
Në një intervistë të hapur në kuadër të Forumit Mediatik të Evropës Juglindore, që është hapur mbrëmë në Budva, Vujanovic ka deklaruar që nëse Nikolic do ta pranojë ftesën, samiti i ardhshëm që do të zhvillohet deri në fund të vitit në në Mal të Zi do jetë takimi i parë ku do të marrin pjesë bashkë presidentët e Serbisë e të Kosovës.
Presidenti malazez ka përshëndetur dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se është gjë e mire që ky dialog po zhvilllohet në nivelin më të lartë politik. /qik/