Jahjaga emëroi Adnan Rrustemin anëtar të KQZ-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mori vendim sot për emërimin e Adnan Rrustemit anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës si përfaqësues i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Presidentja Jahjaga e mori vendimin duke u bazuar në nenin 139, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 61, në nenin 62 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Rrustemi ka dhënë sot betimin para Presidentes Jahjaga. Vendimi për anëtarin e ri të KQZ-së u mor pas dorëzimit të dorëheqjes së z. Alban Krasniqit te Presidentja Jahjaga. /Indeksonline/