Jahjaga me delegacionin e SHBA: Kosova, rrëfim suksesi
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar me delegacionin e Kongresit të Shteveve të Bashkuara, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Në delegacionin amerikan ishin kongresistët David Dreier, David Price, Jim McDermott, Erik Paulsen dhe Gerry Connolly.
Jahjaga në këtë takim ka shprehur falënderimet e saj dhe të popullit të Kosovës për ndihmën që SHBA-ja, administrata e saj, Kongresi dhe populli amerikan, i kanë dhënë Kosovës në arritjen e lirisë.
Ajo theksoi se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët të institucioneve e qytetarëve të saj, me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas saj, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë, e kanë dëshmuar përkushtimin ndaj Ballkanit dhe vizionit për Evropën e bashkuar dhe rajonin e Ballkanit të integruar plotësisht, thuhet në faqen e presidentes së Kosovës në Internet.
Atifete Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe vlerësoi se zbatimi i planit Ahtisari, që ofron një gamë të gjërë të të drejtave për komunitetin serb, është zgjidhja më e mirë për integrimin e komunitetit serb në gjithë territorin e Kosovës.
Anëtarët e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, theksuan se vizita e tyre në Kosovë zhvillohet me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe të ekspertizës, posaçërisht me Kuvendin e Kosovës.
Kongresistët amerikanë theksuan se Kosova është një vend që ka kaluar një histori të rëndë, por ka treguar sukses në gjithë këto vite të fundit. (rel)