Jahjaga ndjek panelin për sigurinë euroatlantike

Presidentja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Gjermani, ditën e dytë të punimeve të Konferencës ndërkombëtare të sigurisë, mori pjesë në punimet e panelit për sigurinë euroatlantike.
Gjatë punimeve presidentja e Kosovës ka takuar një numër personalitetesh botërore që marrin pjesë në Konferencën e Münchenit. Jahjaga ka biseduar me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Ueli Maurer, sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, kongresisten amerikane dhe drejtoreshë e Qendrës Woodrow Wilson, Jane Harman, ish zëvendës ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, si dhe me përfaqësues të shteteve tjera të botës, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Ditën e dytë të punimeve të kësaj konference u trajtua tema e së ardhmes së sigurisë euroatlantike. Pas fjalimit kryesor që e mbajti, nënpresidenti amerikan, Joe Biden, në konferencë folën edhe Guido Westerwelle, ministër i Jashtëm i Gjermanisë, baronesha Catherine Ashton, ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen./Indeksonline/