E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga nga Londra:Pengimi i seancës, i papranueshëm

Presidentja e Republikës së Kosovës e vlerëson votimin në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë si një hap përpara drejt vendosjes së bazave për një marrëdhënieje paqësore ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura.

Sipas presidentes, e cila po qëndron në Londër, kjo marrëveshja ndihmon në stabilitetin dhe paqen në rajon dhe hap rrugën e integrimeve evropiane për të dyja shtetet. “Ajo krijon bazën për vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit ne territorin e Republikës së Kosovës dhe hap perspektiven e qartë për qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në komunat në veri të territorit të vendit për integrim në shoqërinë e Kosovës dhe institucionet e saj”.

Në vijim Jahjaga shpreh shqetësimin e saj me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se tendenca për të penguar funksionimin demokratik të institucioneve është shprehje e papranueshme e pakënaqësisë politike.

“Kuvendi i Kosovës si organ legjislativ i zgjedhur me votën e popullit nuk duhet të pengohet në punën e tij dhe në marrjen e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e vendit”, thuhet në deklaratën e saj./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›