E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Turqisë vizituan Novobërdën

Kryetari i Novobërdës, Bajrush Ymeri priti të enjten një grup shqiptarësh nga Turqia, të cilët këtyre ditëve po qëndrojnë për vizitë në Kosovë. Personat e këtij grupi janë pasardhës të qytetarëve të komunës së Novobërdës, të cilët vite më parë janë shpërngulur në Turqi.

“Është nder dhe emocionuese të ju kemi sot në mesin tonë sepse të parët e juaj kanë qenë banorë të këtyre trevave, të cilët pa vullnetin e tyre atëbotë kanë marrë rrugën e kurbetit. Më vjen mirë që shumë prej jush po flisni gjuhën shqipe, gjë që tregon se ju prapëseprapë e ruani gjuhën dhe traditën”, u shpreh Ymeri, raporton Rajonipress.

Delegacionit i printe kryetari i shoqatës, Bejtullah Dogan, i cili falënderoi për mikpritjen dhe tha se “janë shumë të kënaqur që kanë pasur rast të vijnë dhe të vizitojnë vendin ku kanë jetuar baballarët dhe gjyshërit e tyre”.

Të dy palët shprehën gatishmëri për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Në fund të vizitës, në qendrën e turizmit u organizua një drekë me ushqime tradicionale e financuar nga Komuna dhe e përgatitur nga familja që merren me turizëm rural./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›