E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga nga Praga në Tiranë, takohet me Berishën

TIRANE-Kryeministri Berisha priti sot në takim Presidenten e Repubikës së Kosovës zonjën Ahtifete Jahjaga e cila bëri një ndalesë në Tiranë gjatë kthimit të saj nga Praga ku mori pjesë në funeralin shtetëror në nderim të ish presidentit cek Vaclav Havel.

Lajmi bëhet i ditur nga zyra për shtyp e kryeministrit Berisha ku theksohet se kreu i qeverisë Berisha shfrytëzoi rastin për ti përcjellë presidentes Jahjaga, të gjithë krëve të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për festat e fundvitit.

Gjithashtu edhe Presidentja Jahjaga i përcolli kryeministrit Berisha dhe nëpërmjet tij edhe popullit shqiptarë urimet më të mira për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2012. Të njëjtat burime theksuan se të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se viti i ardhshëm do të jetë për qytetarët e të dy vendeve një vit edhe më i mirë ku ata do të cojnë përpara e do të progresojnë në projektet e tyre madhore për zhvillim dhe integrim evropian.

Në këtë takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve për të intensifikuar përpjekjet për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe atë rajonal në mënyrë që shqiptarët të shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor për zgjerimin e bashkëpunimit e miqësisë me të gjithë popujt e rajonit.

Temë e vecantë e takimit ishte dhe 100 -Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.
Zyra për shtyp e kryeministrit bëri të ditur se duke u ndalur në 100 vjetorin e Pavarsisë së vendit, kryeministri Berisha dhe presidentja Jahjaga ripohuan se në këtë vit jubilar do të kremtohet duke nderuar me solemnitetin më të lartë qytetar dhe respektin më të thellë ngjarjet dhe figurat historike vendimtare që nga Lidhja e Prizrenit deri te pavarsia e Kosovës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›