E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dezher: Për dialogun vendosë Eshton

(E plotësuar) Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Vensan Dezher ka deklaruar sot se i mbetet përfaqësueses së lartë të BE-së, Ketrin Eshton të vendosë nëse dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës do ë vazhdojë, duke shtuar se nesër “nuk është dita e kiametit” dhe se BE si edhe Serbia, nuk heqin dorë nga arritja e zgjidhjes.

Ai u ka deklaruar gazetarëve se zonja Eshton ka thënë se ekzistojnë hendeqe të thella ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe kur sonte të arrijnë përgjigjet ajo do të vendos nëse do të mund të vazhdohet procesi i dialogut.

I pyetur nëse mendon se Serbia është përgjigjur me “JO”, Dezher ka thënë se “sipas asaj që kemi dëgjuar nuk më tingëllon se Beogradi ka thënë jo, por natyrisht se procesi është në rrjedhë e sipër.”

”Sikurse ka thënë zonja Eshton dhe ekipi i saj do të analizojnë sa është hendeku i thellë dhe dallimet e mbetura, dhe si mund të vazhdohet më tutje. Nuk heqim dorë nga zgjidhja, kemi qenë bashkë gjatë gjithë këtyre viteve dhe dëshirojmë të arrijmë zgjidhje konstruktive”, ka cekur Dezher dhe ka shtuar se nuk ekziston kurrfarë ultimatumi.

Sipas fjalëve të tij nesër nuk është “dita e kiametit ” dhe tërë “retorikën histerike duhet lënë prapa nesh”.
”Sepse Serbia nuk është e vetme në këtë proces dhe aty nuk mendojmë vetëm në pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, veç mendoj në të gjitha 27 anëtarët e tij,” ka thënë ai.
Në pyetjen se çfarë përgjigje pritet që Serbia t’ia dërgojë Brukselit, Dezher ka thënë se “sot nuk është nesër, dhe duhet të presim që edhe Beogradi dhe Prishtina t’i dërgojnë vendimet e veta ”.
 

----

Ambasadori amerikan në Beograd Majkel Kirbi ka thënë sot se SHBA e mbështesin vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës në mënyrë që të gjendet zgjidhja e zbatueshme dhe e pranueshme për të dy palët dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes eventuale të Uashingtonit në këtë proces, varësisht nga kërkesa e Beogradit dhe Prishtinës.

Kirbi u ka thënë gazetarëve se “shpresoj se nëse jo sot, dialogu do të vazhdojë dhe sa më shpejtë do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare sepse kjo, sipas mendimit tim, do të ishte më mirë për situatën e përgjithshme në Serbi”.

I pyetur nëse SHBA-të do të ishin të gatshme që të kyçen aktivisht në dialog, ambasadori Kirbi ka thënë se “pavarësisht se çfarë do të jetë dialogu, forma do të varet nga fakti se çfarë kërkesa do të na dërgojnë Beogradi dhe Prishtina. Ju lutem që para se ta varrosim këtë dialog, të shohim nëse ekzistojnë edhe disa gjëra mbi bazat e të cilave ai do të mund të vazhdojë. SHBA janë të gatshme ta mbështesin një gjë të tillë, por më duket se format nuk janë të qarta në asnjërën palë”, ka cekur Kirbi.

Mirëpo, ambasadori amerikan ka vlerësuar se do të ishte mirë që edhe pala e Prishtinës ta zgjerojë rrethin e vet negociator sikurse ka vepruar Beogradi në raundin e tetë të dialogut dhe ka cekur se gjithsesi është më pak e rëndësishme se kush merr pjesë në bisedime nga ajo nëse të dy palët do t’ia dalin të merren vesh.

Ndonëse afati i sotëm që e ka shtruar zonja Eshton ka qenë i lidhur me marrjen e datës për fillimin e negociatave të Serbisë me BE, pyetje kryesore për Qeverinë e Serbisë, dhe për BE-në e Prishtinën është se a mund të arrihet marrëveshja e cila do të jetë e zbatueshme dhe e pranueshme për të dy palët”, ka cekur Kirbi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›