E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga për dialog me Serbinë

Dy grashtetase, që udhëheqin me institucionet më të larta në Kosovë dhe Shqipëri Jozefina Topalli dhe Atifete Jahjaga kanë shprehur mendime të kundërta rreth bashkimit kombëtar.

Derisa e para e parlamentit shqiptar, Topalli, fliste lidhur me terma lavdie për shqiptarët dhe për herë të parë publikisht për vullnetin e bashkimit shqiptar, Jahjaga fliste për bisedimet që po bën Kosova me Serbinë.

Bëhet fjalë për ato që kanë thënë gjatë fjalimeve për përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Për Topallin, duhet të bashkohemi njëherë me njëri- tjetrin e pastaj në BE. Për Jahjagën, duhet të bisedohet me Serbinë, pastaj bashkë me Serbinë të shkojmë në BE.

“Ne duam të bashkohemi me njëri-tjetrin; dhe Ne duam të bashkohemi me familjen evropiane. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën e madhe që kërkohet për të hyrë në BE”, ka thënë Jozefina Topalli duke folur në parlamentin e Kosovës.

Përqendrimi i Jahjagës ndërkaq, ka qenë diku tjetër, në bisedime. Vetëm Jahjaga përjashton bashkimin.

“Alternativa jonë është e përbashkët – në kuadër të shtetit të Kosovës, me të drejta të barabarta dhe të pamohueshme për secilin qytetar dhe me lirinë e garantuar për ta. Kufijtë nuk do të ndryshojnë. Dialogu me qytetarët tanë të secilit komunitet, por edhe të komunitetit serb, posaçërisht atij në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve, do të mundësojë ecjen përpara”, ka cekur Jahjaga në fjalimin e përgatitur që t’i drejtohet kuvendarëve.

Derisa në fjalimin trefaqësh të Jahjagës, nuk është e përdorur asnjëherë fjala “shqiptar”, Topalli pothuajse vetëm për këtë ka folur.

“Ky është vullneti ynë i përbashkët. I të gjithë shqiptarve. Ne shqiptarët dimë të rrokim mundësitë e lirisë, të dhuratës së demokracisë. Ne dimë të përqafojmë mundësitë e shekullit që kemi përpara. Po të ishte gjallë poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta, sot do thoshte: Po edhe hana do t’a dijë/Edhe dielli do t’ket pa/Se përqark ksaj rrokullije/Si shqiptarët një popull nuk ka!”, ka cituar kryekuvendarja.

Edhe urimi i saj ishte për Kosovën dhe shqiptarët: “GËZUAR FESTEN! Zoti bekoftë Kosovën e kombin Shqiptar!”, përfundon Topalli.
Jahjaga në vend të urimit për bekimin e kombit shqiptar ka preferuar të urojë bekimin e ‘miqve’.
“Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj”, përmbyll ajo fjalimin.

Në fjalorin e politikës së Kosovës “miqtë”, mendohet si tog fjalësh “miqtë ndërkombëtarë”. Ndoshta edhe Jahjaga ka dashur të bekohen ata që e propozuan për president përmes zarfit, amerikanët, para shqiptarëve./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›