E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftohen marrëdhëniet Thaçi - Haradinaj

Fakti që nuk ishte ai të mbante fjalim solemn në paradën e FSK-së e në Kuvend, duket se e ka larguar Ramush Haradinajn nga kryeministri aktual, Hashim Thaçi.

Kreu i AAK-së, Haradinaj, e ka injoruar ftesën e Qeverisë për të ndjekur nga afër paradën e FSK-së dhe seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

“Ai ka pasur agjendën e tij personale për këtë ditë”, ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Besnik Tahiri, raporton KTV. Haradinaj, ish-komandant në luftë, ka udhëhequr për një kohë të shkurtër edhe në hierarkinë e lartë të paraardhëses së FSK-së, TMK-në.

Mungesë e theksuar në festimet e pavarësisë ka qenë edhe mosprania e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Edhe ai ka qenë i ftuar, por zëdhënësja e tij, Erla Mëhilli, nuk ka sqaruar arsyet e mungesës. Berisha ka uruar në Facebook shqiptarët e Kosovës për pavarësinë, duke e quajtur Ibrahim Rugovën – arkitekt të pavarësisë së Kosovës.

Por, asnjëherë emrin nuk ia ka përmendur Rugovës zonja që tashmë mban postin që dikur mbante Rugova. Arbër Vllahiu, zëdhënës i Presidencës, nuk ka pasur asnjë koment për këtë. Seanca e Kuvendit të Kosovës ka qenë i vetmi vend ku deputetët e “Vetëvendosjes” janë bërë pjesë e festimeve. Kur të gjithë janë ngritur në këmbë për himnin, “Vetëvendosje” ka zgjedhur të mos lëvizte vendi./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›