Jahjaga, presidente inekzistente

Presidentja e “zarfit”, Atifete Jahjaga, edhe pas dy vjetësh prej se është rehatuar në karrigen e të parës së shtetit, nuk po arrin të luajë rolin e saj unifikues, duke u treguar e pafuqishme dhe thuajse inekzistente.
Të paktën ky është vlerësimi i analistëve politikë në Prishtinë, të cilët konsiderojnë se ish-policja kosovare nuk ka kapacitete as intelektuale për të qenë në krye të shtetit.
Sipas tyre, Jahjaga nga koha që ka marrë postin e të parës së shtetit, ( 7 prill 2011) është treguar e paaftë, duke mos qenë e zonja që në asnjë moment, si në aspektin moral ashtu edhe në atë faktik të marrë timonin e Presidentes, shkruan zëri. Emri i Atifete Jahjagës doli nga zarfi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, për ta udhëhequr vendin vetëm sa për ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik.
Nga koha prej se Jahjaga po shijon karrigen e të parës, njohësit e zhvillimeve politike e konsiderojnë atë si një “Presidente kukull”. Analisti politik, Avni Zogiani thotë se përgjatë këtyre dy vjetëve, roli i presidentes Atifete Jahjagës ka qenë krejtësisht i parëndësishëm për shkak të pafuqisë së saj politike.
“Vetë mënyra e ardhjes së saj në krye të shtetit, tregon pafuqinë e saj politike. Nuk shoh ndonjë kontribut të veçantë të saj, bile do të thosha se vetëm sa e ka mbushur atë pozitë për të mos e kryer rolin që i takon. Ajo thjesht ka qenë inekzistnte, duke qenë e paaftë në balancimin e pushteteve dhe që të luajë rolin unifikues”, ka thënë Zogiani./Indeksonline/