Lajçak: Marrëveshja Kosovë-Serbi është e arritshme

Marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është e realizueshme dhe paraqet rrugën e vetme të mundshme drejt rregullimit të situatës në rajon dhe, përparimin edhe të Serbisë edhe të Kosovës drejt BE-së, thotë këshilltari special i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak.
Në intervistën të përditshmes beogradase “Veçernje novosti”, “Lajçak, si person të cilin BE-ja e ka caktuar për interpretues të rrethanave në Ballkan, dhe me të cilin Ketrin Eshton rregullisht këshillohet rreth situatës në Ballkanin Perëndmor, thekson se serbëve në Kosovë duhet dhënë një mbrojtje të caktuar institucionale, në kuadër të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse.
Lidhur me mosmarrëveshjet rreth veriut dhe bashkësisë së komunave serbe, Lajçak shprehet i sigurt se ekziston diçka ndërmjet kësaj. “Pra duhet të ekzistojë një mbrojtje institucionale, por ajo nuk mund të jetë e keqpërdorur për bllokadë”.
I pyetur nëse beson fare në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, Lajçak tha se beson në normalizim, sepse sipas tij, forcat kryesore politike e kuptojnë se ajo është e nevojshme. “E kuptojnë se normalizimi është diçka që do të thotë fitore, edhe për njërën edhe për palën tjetër”, tha Lajçak.
Sa i përket pozicionit të vendit të tij, Lajçak tha se Sllovakia nuk e njeh Kosovën, mirëpo ajo njeh perspektivën evropiane për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai konsideron se është në interes të të gjithëve që tërë rajoni të ecë drejt vlerave të njëjta, dhe që sundimi i ligjit të respektohet gjithkund në masë të njëjtë.
“Pandaj ne, dhe jo vetëm ne, por të gjitha shtetet anëtare të BE-së kanë mbështetur konkluzionet e Këshillit të Evropës nga dhjetori i kaluar, sepse qartë janë perspektivë evropiane edhe për Kosovën”, është shprehur Lajçak./Indeksonline/