Akademia e Drejtësisë në krizë për profesorë

Gjyqtarët dhe prokurorët kanë probleme edhe me shkrimin ligjor.
“Shumë gjyqtarë dhe prokurorë kanë nisur të studiojnë nëpër universitete private, apo siç quhen ndryshe ‘shkolla të natës’, për t’u kualifikuar si magjistra të shkencave juridike, apo për ta fituar doktoraturën. Në këtë mënyrë ata mund të jenë kandidatë potencialë për mësimdhënës në Akademinë e Drejtësisë, që thuhet se do të hapet”. Kështu është shprehur për gazetën “KosovaSot” një nga burimet e saj, pjesë e sistemit të drejtësisë.
Në fakt, në sistemin gjyqësor dhe prokurorial numërohen në gishta gjyqtarët dhe prokurorët që kanë magjistruar dhe doktoruar, kurse në prokuroritë themelore pjesa më e madhe e prokurorëve nuk e kanë kryer as masterin.
Themelimi i Akademisë së Drejtësisë është vlerësuar nga përfaqësues të institucioneve vendore të drejtësisë në vend si tejet i rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë. Nëpërmjet shkrirjes së Institutit Gjyqësor dhe vënies në funksionim të Akademisë së Drejtësisë synohet që të shkrihen të gjitha trupat joformale ekzistuese të trajtimit të vazhdueshëm ligjor dhe të ngrihen kapacitetet në nivel akademik.
Të paktën kështu ka pohuar më herët ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili ka qenë iniciuesi i propozimit për formimin e një akademie të tillë. Po bëhen tashmë dy vjet kohë prej kur ky propozim është hedhur në tavolinë, është mirëpritur nga të gjithë dhe ka filluar shkëmbimi i eksperiencave me vendet që e aplikojnë një akademi të tillë. Ndryshimi i kësaj akademie nga Instituti Gjyqësor është se trajnimet për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe noterët do të mbahet në një vend dhe nën një emër./Indeksonline/