Jahjaga, proçesi i dialogut me Serbinë, duhet të jetë europiane

Kosova ka nevojë për reforma të thella, me qëllim të ndërtimit të qëndrueshmërisë në vend, ndërsa fundi i pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës varet edhe nga puna e institucioneve të vendit. Kështu deklaroi Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Fieth, gjatë një takimi të mbajtur me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Shefi i ICO-së, Pieter Feith e përgëzoi presidenten për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe i ofroi asaj bashkëpunimin dhe ndihmën e zyrës që drejton.
Feith i veçoi si të rëndësishme reformat në ligjin për zgjedhjet dhe të Kushtetutës së Kosovës, që ndërlidhen edhe me zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se qëllim i saj është ndërtimi i një konsensusi me subjektet politike dhe me shoqërinë civile. Ajo tha se do të jetë e angazhuar aktivisht në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe të reformave të ligjit zgjedhor.
Më tej Jahjaga tha se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do të ndihmonte reformat e brendshme dhe do të hapte perspektivën evropiane.
Ajo gjithashtu kërkoi hapjen e dialogut për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të sjellë zgjidhje evropiane dhe t`i përafrojë të dyja vendet me BE-në.