Jahjaga takon Bajden në 150 vjetorin e bashkimit kombëtar të Italisë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin qendror të festimit të 150 vjetorit të Bashkimit kombëtar italian në Romë (Itali), me ftesë të Presidentit Giorgio Napolitano.
Burime zyrtare kosovare nga Roma bëjnë të ditur se në ceremoninë madhështore u takua dhe bisedoi me nënkryetarin e SHBA, Jozef Bajden, i cili vlerësoi zgjedhjen e saj në krye të shtetit të Kosovës dhe e quajti momentin e zgjedhjes se saj si Presidente shumë të rëndësishëm në angazhimin e vazhdueshëm të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe përparimin e përgjithshëm të vendit.
Presidenca kosovare njofton se Bajden theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes SHBA dhe Kosovës të cilat do të zhvillohen më tej sepse SHBA e kanë përkrahur dhe do të vazhdojnë edhe më tej ta përkrahin Republikën e Kosovës në të gjitha drejtimet.
Jahjaga falënderoi z.Bajden për përkrahjen e SHBA për Kosovës si vendimtare dhe që vlerësohet shumë nga populli dhe institucionet kosovare.
Më tej, Presidentja Jahjaga u takua edhe me Presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, koprinci i Andorës, arqipeshkvi Joan Enric Vives i Sicilia, Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, Presidentin e Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, Presidentin e Afganistanit, Hamid Karzai, Presidentin e Hungarisë, Pal Shmit, etj.
Hashim Thaçi: Jo ndarje të Kosovës, as autonomi në veri
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u është përgjigjur zërave që vijnë nga Beogradi për ndarje të Kosovës, apo ndryshime kufijsh. Ai tha se për asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territoresh dhe nuk do të ketë autonomi në veri, por do të ketë integrim territorial e gjithë-etnik.
Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj: Idetë për ndarjen e Kosovës, tentativë për të destabilizuar ballkanin. Mustafa sulmon kabinetin “Thaçi 2”
Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndarja e Kosovës është një ide shumë e rrezikshme, që do të shkaktonte dhunë dhe jostabilitet në rajon, ndërsa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Republikën e Kosovës në të gjitha aspektet. Gjatë qëndrimit në Francë ku po zhvillon takime të shumta me zyrtarë të shtetit francez, ministri Hoxhaj të enjten ka dhënë edhe një intervistë për gazetën prestigjioze franceze “Le Monde”. Në pyetjen rreth qëndrimit të tij pas arrestimit të kriminelit Ratko Mlladiç, ministri Hoxhaj ka thënë se ky është një lajm i mirë, mirëpo i vonuar. Sipas tij, arrestimi Mlladiçit ka qenë një obligim që është dashur të kryhet shumë kohë më parë. “Arrestimi i Ratko Mlladiçit nuk është i mjaftueshëm. Për Serbinë është kruciale të fillojë reformat nga brenda në mënyrë që në këtë vend të implementohen standardet evropiane dhe të normalizohen raportet me Kosovën. Përkundrazi, Serbia po tenton të krijojë tensione jashtë kufijve të saj. Nuk është në interes të Bashkimit Evropian që t’i japë statusin e “vendit kandidat” një vendi që mban probleme të pazgjidhura me fqinjët e tij, siç është me Bosnjën, ku po mundohet që të vejë në pyetje marrëveshjen e Dejtonit ose me Kosovën, ku po mbështet ndarjen e veriut të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj. Kurse, në pyetjen e “Le Monde” se si e sheh faktin se përkundër nisjes së dialogut Beograd-Prishtinë nën ombrellën e BE-së, Qeveria serbe ka lancuar idenë e ndarjes së Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se dialogu është një instrument i mirë i cili ka për qëllim zgjidhjen e problemeve praktike. “Ky dialog është i fokusuar në bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes dhe perspektiven evropiane. Kemi të bëjmë me një dialog midis dy shteteve të barabarta. Serbia po e keqpërdor që tre muaj: në çdo takim me përfaqësues Evropian, Qeveria e këtij shteti propozon ndarje etnike. Për ne kjo është vijë e kuqe. Ndarja e Kosovës është një ide shumë e rrezikshme e cila do të kishte një “efekt domino” në rajon dhe do të prodhonte dhunë dhe jostabilitet”, ka thënë Hoxhaj. Duke folur rreth mundësisë së dhënies së një statusit special për veriun e Kosovës, ministri Hoxhaj e ka mohuar kategorikisht një mundësi të tillë. “Absolutisht jo. Një status special do të ishte njësoj sikur të ndërrohet marrëveshja e Dejtonit në Bosnjë. Edhe në vitet e 1990-ta, kur ishim të okupuar nga regjimi serbe vizioni i jonë ka qenë të krijojmë një shtet heterogjen dhe assesi mono-etnik. Etniciteti nuk është më problem në vendin tonë”, ka thënë Hoxhaj. Ai po ashtu është shprehur krenar që Kosova po e zbaton planin e Ahtisarit, plan i cili ofron garancitë më të mira për integrimin e minoriteteve. “Veriu është pjesë e Kosovës. Aty kemi një prezencë të strukturave paralele serbe. Ky është një problem politik. Eshtë misioni EULEX, i cili ka përsipër këtë rajon. Në përgjithësi ky mision po kryen punë të mirë në vend, mirëpo mund të bëjë më shumë në veri. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë presion ndaj Beogradit që të mos flitet më për këto struktura paralele. Serbia nuk mund të ketë “një këmbë” në Republikën Serbe në Bosnjë, “një këmbë” në veri të Kosovës dhe “një këmbë” në Bruksel”, ka thënë Hoxhaj.
Isa Mustafa
Shpërthen sërish Isa Mustafa në analizën e 100 ditëve të para të qeverisë “Thaçi 2”, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të një viti më parë. “Është qeveri e prangave dhe politikanët në të janë mashtrues dhe të paskrupullt”- mësohet të jetë shprehur lideri opozitar në një konferencë shtypi, raportojnë mediat e Prishtinës. Referenca ka qenë e qartë për arrestimin e 6 zyrtarëve komunalë të Prishtinës, pasi ai ka thënë se e vetmja gjë që ka bërë qeveria për Prishtinën ka qenë “burgosja e atyre që kanë punuar duke u’a lëshuar në qafë Policinë e Kosovës”. Por, në atë që vazhdon të jetë kundërthënie e hapur, Mustafa e ka vlerësuar si pozitive arritjen e marrëveshjes për Presidenten, me kreun e po kësaj qeverie “mashtruese dhe të paskrupullt” të Hashim Thaçit.
...