Braçe, Ramës: Na ler të shkojmë në kuvend, rrugëve po na zhurit dielli

Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherazi nënkryetari i grupit parlamentar, Erjon Braçe, sulmon kreun e PS, Edi Rama, se e ka kthyer PS-në në një forcë politike pa dinjitet, ndërsa vendimi më i fundit për të bojkotuar Kuvendin, tregon dobësinë e PS përballë PD.
Në një status të publikuar në rrjetin e tij social në Facebook, Braçe dukshëm shpreh zemërimin e tij, duke e konsideruar të gabuar vendimin e Ramës dhe Ruçit, për të mbajtur PS-në jashtë dyerve të parlamentit.
“PS duhet të dalë nga kllapia! Më 8 maj, shqiptarët i dhanë dy mandate të qarta. 1- Mandat Politik- Partia më e madhe e më e votuar në këtë vend:2. Mandat Qeverisës- Do qeverisë 2/3 e qytetarëve në jetë vend. Por ajo po sillet si humbëse, jo si e zgjedhura e njerëzve. PS duhet t’i përdorë këto dy mandate për t’i dhënë zgjidhje problemit të demokracisë. Në rrugë institucionale e në rrugë jashtë-institucionale. Tani! PS deklaroi pak më parë se nuk do të njohë privatizimin e shpallur nga Sali Berisha në sektorin strategjik, veçmas të Energjisë. Por bën gabim! Nuk është privatizim! Është shpronësim me dhunë, pas vjedhjes së zgjedhjeve, që i bëhet çdo shqiptari. Deklarimi për shtyp nuk i mjafton. PS duhet të kundërshtojë ashpër shpronësimin në Kuvend, sheshe, rrugë dhe kudo!”- përfundon shqetësimin e tij Erjon Braçe.
Ai i kërkon publikisht Edi Ramës të ndryshojë metodikën e linjës së drejtimit të PS pasi aktualisht i ngjan më tepër një seksioni turistësh që zhuritën në diellin përvëlues të verës.
Shqetësimi i tij është i kuptueshëm por edhe aq i pabesueshëm se Z.Braçe ngre pikëpyetje të tilla vetëm në mënyrë private, pasi në asnjë mbledhje të grupit parlamentar socialist, anëtari i kryesisë s’ka guxuar t’i drejtohet në mënyrë të tillë Edi Ramës, përveç atakimeve që ka ndezur ndaj Erjon Velisë për efekt xhelozie politike.