Tiranë, starton Milan School Cup
Të shtunën ka nisur në Tiranë veprimtaria sportive, “Milan School Cup”, e cila është organizuar nga klubi i mirënjohur italian. Ky aktivitet me karakter zbavitës, i cili do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, zhvillohet prej pesë vitesh në Milano dhe shërben për të afruar fëmijët dhe të rinjtë me sportin e futbollit. Në turneun që po mbahet në qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare në Kamëz kanë marrë pjesë mbi 500 të rinj të shkollave 9-vjeçare dhe të gjimnazeve të kryeqytetit. Konkurrimi ka filluar me 36 skuadra që duke u përballur mes tyre, në fund do të përcaktojnë edhe ekipin fitues në kuadër të aktivitetit “Dy popuj, një det, një miqësi”. I pranishëm ka qenë edhe trajneri zyrtar i shkollave futbollistike të Milanit, Davide Korti, i cili është angazhuar me koordinimin e veprimtarisë dhe me vëzhgimin e të rinjve. “Milan School Cup” i paraprin edicionit të tretë të “Milan Junior Camp”, që do të nisë në Tiranë më 5 korrik dhe do të zgjasë deri në datën 9 të këtij muaji.
#