E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho: Kërkesa e dy anëtarëve, KQZ gaboi

Konstitucionalisti Niazi Jaho analizon qëndrimin e KQZ-së përballë kërkesës së dy anëtarëve për verifikimin e votave të 28 qershorit.

Zoti Jaho, lidhur me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së për vlerësimin ose rinumërimin e votave, janë shprehur mendime të ndryshme. Disa thonë se KQZ-ja duhet ta pranonte këtë kërkesë, ndërsa të tjerë mendojnë se pranimi ose jo i saj është në çmim të KQZ-së. Do të dëshironim të dinim mendimin tuaj?

Nëse një kërkesë e tillë paraqitet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo duhet të pranohet. Ata që mendojnë ndryshe, ose nuk e njohin në detaje përmbajtjen e nenit 138 të Kodit Zgjedhor, ose bëjnë interpretime të sforcuara e subjektive. E shikoj të nevojshme të përmend gjithashtu se për herë të parë në kodin e ri të miratuar më 29 dhjetor 2008, në nenet 136 dhe 138, u përfshinë dy paragrafë të rëndësishëm për t‘i dhënë mundësi pakicës (2 anëtarëve të KQZ-së pa specifikuar nëse ata janë propozuar nga mazhoranca apo opozita) që të paraqesin kërkesën për marrjen e provave ose për rivlerësimin dhe/ose rinumërimin e votave të caktuara. Ligjvënësi, pranimin e këtyre kërkesave, nuk e ka lënë në çmimin e KQZ-së, pikërisht me qëllim për të ngjallur besimin e palëve, për të verifikuar çdo pretendim të mundshëm dhe ajo që është kryesorja, për të parandaluar kontestimin e mundshëm të rezultatit të zgjedhjeve. Nëse KQZ-ja do të pranonte kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht nga rezultati i rinumërimit apo i rivlerësimit të votave, mendoj se do të ishte i vështirë, për të mos thënë i pamundur, kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve. Për ta bërë më të qartë këtë problem e shoh të nevojshme t‘u referohem dispozitave të neneve 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor. Palët, sipas nenit 136 të Kodit, kanë të drejtë të kërkojnë marrjen e provave, por gjykata mund ta pranojë ose ta refuzojë atë. Kur kjo kërkesë bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, marrja e provave është e detyrueshme, "KQZ-ja nuk mund të refuzojë kërkesën për prova të paraqitur nga dy anëtarët e KQZ-së" (pika 4 e nenit 136). Palët, sipas nenit 138 të Kodit Zgjedhor, kanë të drejtë t‘i kërkojnë KQZ-së rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara. KQZ-ja mund ta pranojë ose ta refuzojë atë, por "në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara", (pika 3 e nenit 138). Siç del nga përmbajtja e dispozitave të mësipërme, ligjvënësi në mënyrë të prerë ka bërë dallimin midis kërkesave të palëve dhe kërkesave të paraqitura nga dy anëtarët e KQZ-së. Ndërsa për rastin e parë, KQZ-ja mund të vendosë pranimin ose refuzimin e kërkesës, në rastin e dytë KQZ-ja detyrimisht duhet ta pranojë atë. Lidhur me rastin e fundit, çdo interpretim mendoj se do të ishte subjektiv dhe arbitrar, në kundërshtim me ligjin dhe frymën e tij. Ligjvënësi ka dashur që pranimin e kërkesës së dy anëtarëve ta bënte të detyrueshme, ndryshe formulimi i kësaj dispozite do të ishte se "KQZ-ja mund të pranojë ose refuzojë kërkesën për rivlerësim dhe/ose rinumërim të votave të paraqitur nga dy anëtarët e KQZ-së". Natyrisht edhe ajo që ligjërisht është e detyrueshme për të bërë të qartë problemin, mund të diskutohej, por jo për të vendosur moszbatimin e kërkesës së mësipërme. Kështu, p.sh., në Kuvendin e Shqipërisë para disa vjetësh u diskutua çështja nëse është e detyrueshme pranimi i kërkesës nga një e katërta e deputetëve për të ngritur një komision hetimi parlamentar, megjithëse në nenin 77, pika 2 e Kushtetutës thuhet shprehimisht se Kuvendi me kërkesën e një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij "është i detyruar të caktojë komision hetimi". Do të ishte shkelje e Kushtetutës (neni 77 pika 2), nëse Kuvendi me shumicë votash do të refuzonte kërkesën e një të katërtës së deputetëve, d.m.th. të pakicës. Në kundërshtim me ligjin mendoj se është edhe refuzimi i kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së, (që është pakica), me votat e shumicës së KQZ-së. Në fakt, KQZ-ja dhe më vonë edhe Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, në rastin konkret i kanë dhënë vetes atribute të legjislativit, sepse kanë krijuar norma të reja ligjore. Shprehjen "është e detyrueshme", e kanë zëvendësuar me shprehjen se "edhe pranimi ose jo i kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së është në çmimin e tyre".

Në vendimet e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor, në ç‘mënyrë është arsyetuar refuzimi i kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin ose rivlerësimin e votave?

Arsyetimi është thuajse i njëjtë me përjashtim të ndonjë çështjeje, nëpërmjet së cilës është synuar të argumentohet në mënyrë të sforcuar ajo që nuk është jo vetëm e ligjshme, por edhe kontradiktore. Në këto vendime, sipas meje, ka paqartësi për shkak të një frazeologjie të tejzgjatur që anashkalon thelbin e çështjes. Në këto vendime është tentuar të "argumentohet" përse KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor nuk mund të pranojnë kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së, megjithëse ligji pranimin e saj e bën të detyrueshme. Në pjesën arsyetuese të vendimit të KQZ-së lidhur me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara (neni 138, pika 3), thuhet se që kërkesa të merret parasysh "Duhet të ekzistojnë prova ose shkaqe të mjaftueshme në dokumantacionin zgjedhor për të krijuar bindjen se rinumërimi dhe/ose rivlerësimi është i nevojshëm". Sipas KQZ-së, meqë në grupet e numërimit dhe në KZAZ-të nuk ka pasur kontestime lidhur me numërimin dhe vlerësimin e votave, kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së nuk është e ligjshme. Nga sa u tha më lart, del se KQZ-ja interpreton pikën 3 të nenit 138 të Kodit Zgjedhor afërsisht në këtë mënyrë: "Kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara, është e detyrueshme ‘vetëm nëse ekzistojnë prova ose shkaqe të mjaftueshme në dokumentacionin zgjedhor, nëse nuk ka kontestime, kërkesa e dy anëtarëve është e papranueshme‘". (Fraza në thonjëza nuk parashikohet në ligj, si rrjedhojë, ky nuk është interpretim, por një normë e re që bie ndesh me pikën 3 të nenit 138 të Kodit Zgjedhor). KQZ-ja, në vendimet e saj, nuk ka pasur parasysh edhe pikën 6 të nenit 136 të Kodit Zgjedhor, ku bëhet fjalë për marrjen e provave. Në të thuhet se: "Pavarësisht nga përcaktimet e bëra në këtë nen, kur KQZ-ja çmon se një fakt, rrethanë apo ngjarje ka ndodhur, ajo merret si provë, pavarësisht nëse nuk është pasqyruar në ndonjë dokument zgjedhor". Kjo do të thotë se prova në një rast të tillë, mund të merret edhe kur në materialet zgjedhore nuk ka të evidentuar kontestime. Kështu, p.sh. rezultati i votave midis dy subjekteve zgjedhore është tepër i ngushtë, ndërsa bije në sy numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme. Kjo e dhënë mund të shërbente për një hetim më të plotë administrativ, aq më tepër kur kjo do të kërkohej nga dy anëtarë të KQZ-së. Një tjetër çështje që mund të trajtohet është ajo që thuhet në vendimin e KQZ-së, se rinumërimi apo rivlerësimi i votave bëhet për vota të caktuara dhe jo për të gjitha votat. Në fakt, kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së është ajo që thuhet në ligj: për vota të caktuara. Trajtimi që i bëhet kësaj çështjeje në vendimet e KQZ-së, të bën të arrish në përfundimin se nëse kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së për rivlerësim apo rinumërim të votave do të ishte për vota të caktuara, ajo do të ishte e pranueshme, pavarësisht se në dokumentacionin e zgjedhjeve nuk do të kishte kontestime! Në fakt nuk u veprua kështu.

Sipas jush, si mund të vlerësohet veprimtaria e KQZ-së?

Veprimtaria e KQZ-së në zbatim të Kodit Zgjedhor është e gjerë dhe komplekse. çfarëdo mendimi që mund të shprehja unë, do të ishte i pjesshëm, ndoshta edhe me elemente subjektive. Mund të them vetëm se refuzimi i kërkesave të dy anëtarëve të KQZ-së mendoj se ka qenë i gabuar. Nëse do t‘i referohemi raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR-it lidhur me veprimtarinë e KQZ-së në të, ka si konsiderata pozitive edhe negative, madje këto të fundit mendoj se janë të rëndësishme. Në to, veç të tjerave, thuhet se: "Në përgjithësi mbledhjet e KQZ-së ishin transparente dhe u zhvilluan me profesionalizëm", dhe më poshtë: "KQZ-ja u nda sipas linjave mazhorancë-minorancë, veçanërisht në çështjet më të debatuara. Mbledhjet e KQZ-së shpesh u karakterizuan, pa qenë nevoja, nga interpretime të gjata personale dhe politike parashtruar si nga anëtarët e KQZ-së ashtu dhe nga përfaqësuesit e partive. Ky politizim pati ndikim mbi punën e KQZ-së, veçanërisht në detyrën e saj për t‘i administruar zgjedhjet në mënyra asnjanëse dhe efikase" (faqe 9 e raportit). Në mbështetje të këtij konstatimi që ka edhe vlerën e konkluzionit, nuk mund të përjashtohet fakti se ndikimi politik dhe ndarja e KQZ-së sipas linjave partiake të mos kenë kushtëzuar në njëanshmërinë e KQZ-së për të refuzuar kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së lidhur me rinumërimin apo rivlerësimin e votave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›