E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënia e Shengenit dhe rrethimi i shqiptarëve

Sot është një ditë e shënuar për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, pasi do të kenë mundësi të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen për një qëndrim afatshkurtër deri në 90 ditë, si pasojë e vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Heqja e regjimit të vizave është pikënisja e rënies së "murit" Shengen dhe treguesi më kuptimplotë i përpjekjeve të BE-së për të nxitur politika që synojnë ribashkimin e kontinentit. Pas dy dekadash frustrimi, vendimi i BE-së për heqjen e regjimit të vizave me tre shtetet e lartpërmendura, po përcillet psikologjikisht me optimizëm të justifikuar nga qytetarët e rajonit. Krahas titujve të gazetave, të cilat kanë pasqyruar në vijimësi gëzimin e qytetarëve, operatorët e fluturimeve ajrore janë treguar të kujdesshëm që të përshtatin ofertat e tyre turistike për destinacionet europiane.
Në kontrast me këtë atmosferë, shqiptarët vazhdojnë të vuajnë pasojat e papërgjegjshmërisë së parisë e cila qysh prej 2006-s premton se heqja e regjimit të vizave do të ndodhë brenda 6-mujorit të ardhshëm, megjithëse kanë kaluar disa të tillë dhe shqiptarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të presin për 6-mujorin e radhës, por tashmë me sytë nga BE-ja e jo më nga qeveria.
Sot është momenti që të nxirren mësime e përgjegjësi nga dështimi i qeverisë në përmbushjen e standardeve të kërkuara për heqjen e vizave. Këto mësime e përgjegjësi do të na vlejnë edhe për procesin e aplikimit të Shqipërisë në BE dhe më pas gjatë procesit të aderimit. Trajtimi i të gjitha vendeve njësoj në një proces të vetëm, por duke shpërblyer ata që përmbushin standardet, është mënyra më e mirë për të nxitur përpjekjet kombëtare për të përmbushur kriteret e kërkuara të aderimit në BE.
Është e udhës të kujtojmë se Shqipëria e filloi e para këtë proces, por nuk po e mbyll dot. Jemi i vetmi vend në rajon që si pjesë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit negociuam një nen dhe deklaratë të posaçme që përcaktonte që në 2004 kriteret që duhet të plotësonte Shqipëria në mënyrë që të përfitonim nga heqja e regjimit të vizave. Këto kritere u detajuan më tej në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave që iu dorëzua vendeve të rajonit në vitin 2008.
Procesi i liberalizimit të vizave është një shembull i shkëlqyer i pushtetit të butë të BE-së. Të gjitha vendet u vlerësuan duke u bazuar mbi të njëjtat kritere, shoqëruar këto me një proces rigoroz me objektiva dhe afate. Kjo krijoi një konkurrencë shumë të shëndetshme midis pesë vendeve pjesëmarrëse. Ndaj me të drejtë në vrojtimin e fundit të "Gallup Balkan Monitor", shqiptarët fajësojnë qeverinë dhe jo Bashkimin Europian për veçimin e Shqipërisë nga grupi i vendeve që përfituan heqjen e regjimit të vizave sot.
Rrethimi që sot përjetojmë e ka origjinën në dështimin e parisë me pasaporta diplomatike në xhep, e cila nuk ka vullnet për të jetësuar dëshirën e shqiptarëve për të udhëtuar lirisht në Europë, pasi të gjitha energjitë e saj janë të drejtuara te gara e ethshme për pasurim të pandershëm në kurriz të shoqërisë shqiptare. Gjithsesi, nën vëzhgimin dhe bekimin e familjes së Sulltanit.
Në vend që t‘u kërkonte ndjesë qytetarëve të vendit të tij për këtë situatë të papranueshme, Kryeministri zgjodhi sërish armën e tij të preferuar, gjuhën e urrejtjes, shpifjet e mashtrimin, të cilat bota demokratike ku duam të integrohemi ka kohë që i refuzon me përbuzje. Guxoi që publikisht të bëjë përgjegjëse opozitën për këtë dështim. Më pas sajoi një histori duke më akuzuar personalisht se kisha ndikuar pranë institucioneve të BE-së që Shqipëria të mos përfshihej në grupin e vendeve që do të përfitonin nga heqja e regjimit të vizave. Për ta bërë më të besueshme historinë para opinionit publik, e për të fshehur njëkohësisht dështimin e qeverisë së tij, "grupit armiqësor" i shtoi elementin ndërkombëtar, duke përfshirë edhe Pierre Mirel, drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian. Nga studio televizive ku emetonte me qesëndi historinë konspirative, sfidoi pjesëmarrësit që sipas tij nuk kishin guxim ta përgënjeshtronin.
Komisioni Europian përgënjeshtroi menjëherë Kryeministrin, duke i bërë një shërbim të vyer demokracisë së brishtë shqiptare, por duke na bërë të skuqemi ne qytetarëve të këtij vendi, për faktin se për herë të parë në historinë e saj BE-ja po certifikonte si mashtrues Kryeministrin e një vendi që po troket në dyert e saj. Në fakt, kjo është një surprizë e pakëndshme për BE-në, e cila ndër vite ka ditur si të përballet me kryetarë shtetesh autokratë, të korruptuar apo euroskeptikë, por së fundmi i duhet të përballet edhe me një mashtrues, tashmë të certifikuar.
Për të vazhduar spiralen e mashtrimit me vizat, pa u shuar ende jehona e skandalit të përgënjeshtrimit ndaj Kryeministrit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri një plagjiaturë të shpifjes së Kryeministrit, por duke e zhvendosur "grupin armiqësor" në Parlamentin Europian. Veçantia kësaj radhe qëndron në faktin se kjo shpifje mvishet dhe me injorancë, pasi Parlamenti Europian deri në momentin e hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës para pak ditësh, ka pasur vetëm rol këshillimor e jo vendimmarrës në procesin e liberalizimit të vizave.
Për fat të keq, gjendemi të rrethuar nga një pari që ka humbur fillin e arsyes bashkë me durimin për shkak të shpërhapjes së metastazave të korrupsionit dhe mungesës së legjitimitetit për të qëndruar në krye të punëve të vendit. Kjo sjellje mund ta vonojë sërish procesin aq shumë të ëndërruar të liberalizimit të vizave. Por, fatmirësisht, për shkak të angazhimit serioz të Bashkimit Europian sot nuk shtrohet më pyetja nëse do të hiqet regjimi i vizave me Shqipërinë, por kur do të hiqet ky regjim. Me heqjen e regjimit të vizave nuk mund të abuzohet pafundësisht nga paria që e la Shqipërinë të fundit. Në të kundërt, ky proces duhet të konsiderohet si një vullnet i qëndrueshëm i Bashkimit Europian për t‘u dhënë edhe shqiptarëve lirinë e munguar të lëvizjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›