E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, shpërblime vetëm për më të mirët

Shpërblimet për policinë në fundin e vitit duket se sivjet do të jenë edhe më keq se vitet e tjera. Metodat selektive të shpërblimit vihen re në numrin më të madh të drejtorive të policisë, duke dhënë para për ata që mendohet se kanë punuar më mirë dhe jo për ata të tjerët, për të cilët ka mendim se kanë punuar më keq. Këto shpërblime do të jepen nga fondi i çdo drejtorie policie në qarqe, por ende qeveria shqiptare nuk e ka "vënë ujin në zjarr" për të zbatuar ligjin e policisë, ku deklarohet se punonjësit e policisë përfitojnë deri në një pagë në fund të vitit për shkak të punës së veçantë që kryejnë.
Gjatë ditës së djeshme është marrë kontakt me disa drejtori policie në qarqe, ku është pyetur nëse do të kenë shpërblime për fundin e vitit. Nga të dhënat rezulton se në shumicën e rasteve do të jepen shpërblime nga fondi i veçantë i çdo drejtorie policie, por jo në mënyrë të barabartë, por në mënyrë selektive. Ndryshe nga vitet e tjera, kjo metodë po përdoret gjerësisht nga të gjithë strukturat e policisë, duke harruar se festat e fundvitit janë njëlloj për të gjithë efektivin e saj. Nga të dhënat zyrtare mësohet se veçimi për këto shpërblime bëhet në mënyra të ndryshme, qoftë nga ajo e gradës, apo edhe punës së mirë. Por shpërblimi për punë të mirë mbetet i pallogaritur dhe i pavërtetueshëm, kur ka krahasim mes sektorëve.
Sipas të dhënave policore, brenda një sektori të veçantë të policisë mund të përllogarisësh punën e mirë apo të dobët të një efektivi, por ndër sektorë të ndryshëm, kjo është e parealizueshme. Sipas specialistëve, nuk mund të krahasohet asnjëherë puna e bërë nga sektori i hetimit të krimit me sektorin e Patrullës së Përgjithshme. Ata kanë natyrë të veçantë shërbimi dhe nuk ka asnjë masë matjeje për këtë punë. Por, disa prej drejtorive të policisë, mendohet se e kanë kryer këtë veprim, duke mos lënë mënjanë edhe Tiranën. Nga burimet policore mësohet se disa strukturave u janë dhënë shpërblime në një vlerë të caktuar parash, disa të tjerave, me persona të veçantë, ndërkohë që janë lënë pa shpërblim shumica e tyre.
Ky veprim është kryer për herë të parë sivjet, pasi vitet e kaluara ka vepruar një tjetër sistem. Nga të dhënat mësohet se drejtori i Policisë së Qarkut thërriste financat dhe pyeste sesa para ishin në fondin e pashpenzuar të Drejtorisë së Policisë përkatëse. Më pas bënin përllogaritjet për numrin e gjithë punonjësve në këtë drejtori dhe në mënyrë të barabartë u jepte shpërblim për të festuar festat e fundit të vitit. Që nga pastruesja e deri te drejtuesi merrnin të njëjtin shpërblim, pa marrë parasysh punën e kryer gjatë vitit, pasi për atë ishin vlerësuar më parë, por duke treguar se festat ishin të njëjta për të gjithë.
Ndërsa shpërblimi tjetër që pritej nga punonjësit e policisë ishte ai i akorduar nga qeveria. Megjithatë, edhe këtë vit kabineti qeveritar ka menduar që punonjësit e policisë të përfitojnë vetëm 10 mijë lekë (nëntëmijë lekë pa taksën e sheshtë 10%), duke thelluar edhe më tej krizën financiare për punonjësit e policisë, për të cilët ka pasur shumë premtime, se do të ngrihen pagat, do të kenë trajtim të veçantë, apo edhe të tjera. Sindikata e Punonjësve të Policisë, e vetmja që po mundohet të mbrojë interesat e tyre financiare, pavarësisht se nuk ka gjetur terren dhe vullnet politik për këtë shtresë që siguron rendin publik, ka kërkuar disa herë që qeveria të marrë parasysh shpërblimet në fund të vitit për të gjithë punonjësit e policisë, ashtu siç e parashikon edhe ligji për Policinë e Shtetit. Gjithashtu, sindikata ka kërkuar që të paguhen edhe orët suplementare, të cilat qeveria nuk i ka dhënë prej më se një viti.
Pa kohë më parë, në një njoftim për shtyp, Sindikata e Policisë ka deklaruar për mediat se një kërkesë të tillë ia ka dërguar qeverisë dhe pret që ajo të marrë vendimin e duhur për ta. Kjo kërkesë bazohet në ligjin e Policisë së Shtetit. Pikërisht në nenin 88 pika 5, thuhet se punonjësit e Policisë së Shtetit përfitojnë çdo vit në fund të vitit financiar një shpërblim deri në një pagë mujore. Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjesëtueshmërie, që pasqyron kohën e punës së kryer gjatë gjithë vitit financiar. Punonjësit që nuk kanë mungesa në punë, për çfarëdo arsye, përveç kohës së pushimit kanë të drejtën e shpërblimit të plotë.
Kjo pagë nuk përfitohet në rastet, kur punonjësi është ndëshkuar me masën përjashtim nga Policia e Shtetit", sqaron Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit. Më tej, sindikata e policisë ka shpjeguar se ligjet në fuqi parashikojnë edhe shpërblimet për orët suplementare. Në Kontratën Kolektive të Punës, nr. 1966, datë 03.04.2009, neni 5, shprehet se "Punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve, sipas përcaktimit të ligjit 7961, datë 12.07.1995 (Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar), konkretisht neni 91, ku shprehet "Orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë jo më pak se 25% të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›