Këshilli Kombëtar, PD mbyll numërimin në mesnatë, nis radhitja
Partia Demokratike përfundoi dje në mesnatë edhe procesin e numërimit të votave të delegatëve nga i gjithë vendi për 100 anëtarët e Këshillit Kombëtar, organi ky më i lartë i vendimmarrjes pas Kongresit. Pas procesit të numërimit, anëtarët e komisionit vijuan procesin e seleksionimit të fletëve të votimit, për të përfunduar në orët e para të ditës së sotme, shpalljen e fituesve mes 400 emrave, të cilët ishin kandidatë në këtë garë.
Ecuria
Drejtuesit e Partisë Demokratike që u morën me procesin e numërimit të votave gjatë gjithë ditës së djeshme kanë qenë të izoluar në ambientet e partisë. Burimet nga partia kryesore e mazhorancës deklaruar për "Shqip" se vetëm në orët e vona të darkës u arrit mbyllja e procesit të numërimit. Mëngjesin e sotëm pritet edhe shpallja zyrtare e kandidaturave, pasi në listën e fitueseve nga procesi i votimit, të shtohen edhe emrat e anëtarëve, të cilët automatikisht do të hyjnë në Këshillin Kombëtar. Bazuar në statutin e Partisë Demokratike disa prej personazheve kryesore si ish-kryetarët, ish-presidentët, ish-kryeministrat dhe ish-kryetarët e Kuvendit janë automatikisht edhe në cilësinë e anëtarit të këtij forumi të lartë partiak. Surprizat në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillit pritet të konsistojnë në jo më shumë se 20 emra, pasi është e sigurt se anëtarë të këshillit do të jenë figurat politike me eksperiencë dhe me karrierë të gjatë në Partinë Demokratike. Procesi i numrit ka vijuar përgjatë katër ditëve me ndërprerje të vogla dhe është drejtuar nga deputeti i PD-së, Igli Cara. Mbetet për t‘u parë fati i disa prej figurave kryesore të asaj çka mund të cilësohet "linjë oponence" brenda selisë blu. Pas shpalljes së rezultateve do të mund të mësohet fati i Besnik Mustafajt, Aleksandër Biberajt, Omer Stringës etj. E njëjta sfidë do të ndeshet edhe për ata që janë cilësuar më parë si mbështetës të ish-nënkryetarit të Partisë Demokratike, Bamir Topi, aktualisht President i Shqipërisë.
Berisha
Publikimi i rezultateve ditën e sotme përkon edhe me mbërritjen në Shqipëri të Kryeministrit Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike. Berisha kthehet pas një vizite treditore në Kopenhagë të Danimarkës në një konferencë për ndryshimet klimaterike. Berisha u konfirmua ditën e hënë si kryetari i Partisë Demokratike edhe për një mandat tjetër katërvjeçar, duke arritur të marrë votëbesimin e delegatëve, përveç pesë votave kundër dhe pesë të tjerave abstenim. Një proces i cili e nxori atë me një mbështetje absolute, por në një garë pa asnjë rival brenda partisë.
F.Mejdini