E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët: Demokracia rrezikon të dalë nga binarët

Teksa debati politik po zien, faktori ndërkombëtar insiston te mesazhi i dialogut mes palëve. Në një aktivitet të organizuar nga Rektorati i Universitetit të Tiranës për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, zv.ambasadorja britanike deklaroi dje se palët politike në Shqipëri duhet të gjejnë dialogun duke paralajmëruar se vijimi i krizës mund të ketë pasoja për Shqipërinë. Sakaq, Thomas Van Handel, shef i Seksionit Ekonomik, Politik dhe Informacionit në Delegacionin e Komisionit Europian në Shqipëri, komentoi mbi zhvillimet më të fundit të këtij procesi, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të fokusohet më së shumti tek implementimi i strategjive dhe legjislacionit përkatës, pasi kjo është pjesa që paraqitet më problematike.

Ambasadori

"Duhet dialog për të zgjidhur krizën politike. Kjo situatë mund ta nxjerrë nga binarët demokracinë në vendin tuaj", theksoi zëvendësambasadorja britanike, Elisabeth Evans. Në një tryezë për pjesëmarrjen e grave në politikë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, por dhe ai holandez kanë deklaruar dhe njëherë se politika shqiptare duhet të ulë replikat. Ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, tha dje se "pas pranimit të vendit tuaj në aleancë, prisja që koha e toneve të hidhura në përballjet politike, e gjuhës së ashpër, e fyerjeve personale dhe kërcënimeve në politikë, tashmë kishte marrë fund". Por, konstatoi ai, fatkeqësisht jam gabuar. "Është koha që dy kampet e mëdha të gjejnë një zgjidhje", shton ai. "Në një dialog politik konstruktiv nuk ka vend për sulme ndaj individëve ose kërcënime dhune dykuptimëshe. Stabiliteti politik dhe pjekuria demokratike bëjnë pjesë në kushtet e një rëndësie të veçantë dhe një qëndrueshmëri e tillë është parakusht kyç në garën për investime të huaja", shton përfaqësuesi i Gjermanisë në vendin tonë. Sa i takon bojkotit, ambasadori thotë se nëse qeveria bën një hap të qartë ndaj opozitës, kjo e fundit do ta ketë shumë të vështirë të kundërshtojë. "Situata e përfaqësimit të grave në strukturat vendimmarrëse është ende shumë larg prej asaj që duhet të jetë. Ka disa përpjekje, por jeni ende shumë larg. Duhet të kuptoni se kur luftoni për të drejtat tuaja nuk jeni as demokratë dhe as socialistë, as të majta e as të djathta, por jeni të një qëllimi të përbashkët", theksoi Bosch. "Mbetet shumë për t‘u bërë pasi Shqipëria ka përqindjen më të ulët në Europë për numrin e femrave të zgjedhura në Kuvend. Thelbësore është të hiqet dorë nga apatia se femrat nuk mund të bëjnë dot asgjë në politikë. Duhet dhe vullnet nga partitë politike në ristrukturimin e tyre në favor të përfaqësimit të gjinisë femërore", shtoi ambasadori holandez.

Komisioni

I pranishëm në një tryezë të organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, shefi i seksionit ekonomik në zyrën e KE-së në Tiranë theksoi se faza në të cilën ka hyrë tashmë Shqipëria është një etapë e rëndësishme ku një rol kryesor ka administrata shtetërore. Në këndvështrimin e tij përgjigjet e pyetësorit të BE duhet të jenë sa më të vërteta, në mënyrë që ato të bëjnë një pasqyrim real të situatës. Në këtë kontekst "Progres-raportet e Komisionit Europian ndryshojnë nga vlerësimi që do t‘u bëhet përgjigjeve të pyetësorit nga administrata shqiptare, pasi ky vlerësim do të paraqesë "fotografi" të arritjeve dhe situatës aktuale", theksoi Von Handel. Fundi i vitit të ardhshëm shihet si periudha më e mundshme kur Komisioni Europian do t‘u paraqesë vendeve anëtare të BE-së vlerësimin e tij për gatishmërinë e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ilda Zhulali, drejtore e Drejtorisë së BE, në Ministrinë e Punëve të Jashtme përmendi angazhimin e qeverisë dhe strukturave të saj për plotësimin e të gjitha angazhimeve në kuadër të Integrimit Europian. Gledis Gjipali, përfaqësuesi i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) theksoi rëndësinë e fazës në të cilën gjenden proceset integruese të vendit.

F.Mejdini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›