E Martë, 3 Nëntor 2026

Jahtet në Shqipëri/ 1.300 anije luksoze hedhin spirancat në brigjet e Sarandës

Shqipëria nuk ishte menduar ndonjëherë se mund të ishte destinacion jahtesh e megjithatë çdo vit e më shumë ankorohen në portet e bregdetit të vendit tonë.

Gjatë këtij sezoni turistik në radën dhe kalatën e Portit të Jahteve në Gjirin e Sarandës, kanë hedhur spirancën 1 300 jahte.

Ky është një numër i paparë jahtesh luksoze të madhësive dhe pamjeve nga më të ndryshmet që kanë preferuar të pushojnë në Sarandë.

Përgjithësisht jahtet kanë kalatën e tyre të veçantë për ankorim, por jahtet më luksoze dhe kroçerat e përmasave më të mëdha, pas përpunimit nga Autoritetet Portuale dhe Kapiteneria e Portit, ankorohen jashtë Portit, për të qëndruar dhe shijuar sa më gjatë kënaqësitë e qytetit turistik që qarkon gjirin e Jonit, por edhe për të mos penguar lëvizjet e mjetëve të tjera lundruese që hyjnë dhe dalin vazhdimisht në port, tragetet, aniet turistike, motoskafët, të cilët 24 në 24 orë sjellin turistë.

Sipas autoriteteve portuale dhe operatorëve turistik në shërbim të vizitorëve të jahteve ky është viti i parë që në brigjet e detit, në Sarandë, në Ksamil dhe përballë plazheve më piktoreske të Jonit, kanë ankoruar një numër kaq i madh jahtesh luksoze.

Prania gjatë këtij sezoni e një numri kaq të madh të jahteve që vizitojnë ujërat e detit shqiptar, është treguesi më i mirë për potencialin e lartë që ka fituar turizmi detar në vendin tonë. Në të gjithë botën, jahtet njihen si anije të projektuara posaçërisht për udhëtime ekzotike dhe turistike, për argëtim e sport nga njerëz të pasur, personalitete të njohur të botës së biznesit, të artit, të shkencës dhe të sportit.

Në brigjet e Sarandës gjen në këto ditë vere jahte të llojeve e përmasave të ndryshme. Në fund të fundit, jahtet luksoze si objekte të rehatshme argëtimi dhe largimi të stresit të punës dhe përditshmërisë, shpesh në media cilësohen si simbole të ëndrrave të realizuar.

Njerëzit shumë shpesh ëndërrojnë dhe përmbushin ëndrrat e tyre në mënyra të ndryshme. Një udhëtim dhe një vizitë e paharrueshme në brigjet shqiptare, u krijon pronarëve të jahteve personal, por edhe atyre që rezervojnë jahte “çarter” që merren me qira, mundësi të jashtëzakonshme për të vizituar Butrintin, Syrin e Kaltër, Manastirin e 40 Shenjtorëve, Sinagogën në qendër të Sarandës, Kalanë e Lëkursit dhe plazhet me pamje mahnitëse të Jonit.

Shqiptarët mbeten të interesuar për jahtet, por blerja kufizohet nga mungesa e infrastrukturës dhe stilit të jetesës. Preferenca e “pasanikëve” shqiptarë në këto raste mbetet qiramarrja. Përgjithësisht, ata që duan një jaht për pushime janë familjarët, por nuk mungojnë as grupet dhe çiftet.

Çmimet për velierat apo jahtet me qira nisin nga 400–3 200 euro/dita sipas specifikave të mjetit. Vendasit i zgjedhin si alternativë për të thyer rutinën në një ditë apo fundjavë.

E rëndësishme është që shqiptarët që kanë mundësinë financiare, së fundmi kanë filluar të hedhin hapat e parë në zotërimin e barkave dhe marrjen me qira të tyre.

Në brigjet shqiptare madje janë ankoruar ndër jahtet më të bukur dhe ndër më të mëdhenjtë në botë, sikurse është ai që njihet ndryshe si Perla e Zezë e Oqeanit, superjahti “Rising Sun”, jahti “Maltese malcon”, që konsiderohet edhe si jahti më i madh në botë.

Megi Mëhilli

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›