Video/ Makina me shpejtësi skëterrë përfundon mbi digën e Liqenit, Veliaj: Dënim maksimal për shoferin

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar dënimin maksimal për shoferin i cili përfundoi me mjetin e tij mbi digën e Liqenit të Tiranës.
“Zero tolerancë për kërcënuesit e jetës,” tha Veliaj, teksa bëri thirrje për respektim të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve.
“Tani çdo gjë është kthyer në normalitet, por shpejtësia skëterrë e shoferit (jo e makinës – sepse makina s’ka vendimarrje në çmenduri) që përfundoi mbi digën e Liqenit, rrezikon qytetarët, por edhe vetë të lojturin që veç bordura e shpëtoi nga mbytja në Liqen,” shkruan Veliaj në rrjetin social Facebook.
Kryebashkiaku thekson se bashkë me policinë e Shtetit do të kërkojnë dënim maksimal për drejtuesin e “BMW X5”.
Sikurse shihet dhe në videon e publikuar nga Kryebashkiaku, makina po udhëtonte me shpejtësi të madhe në “Rrugën e Kosovarëve”, duke bërë që mjeti të dalë nga rruga dhe të ngjitet në maloren përmes Digës së Liqenit, duke përfunduar mbi pedonale (zonë kjo e përcaktuar vetëm për këmbësorë e biçikleta).
Ngjarja ka ndodhur në orën 05:12 dhe fatmirësisht në këtë orar, zona nuk ka pasur qytetarë.
/rtsh.al/