Nafta në Shpirag, Rama: Përpjekja 10-vjeçare, po i afrohet orës vendimtare

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Shpirag, nga ku ka deklaruar se zbulimi i naftës 6.1 kilometra nën tokë po i afrohet orës vendimtare.
Kreu i qeverisë u shpreh se në fund të 2023-shit do të mësohet a mund të nxirret në sipërfaqen e tokës kjo pasuri e konsiderueshme për Shqipërinë.
“Sot në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës.
Në fund të këtij viti do ta mësojmë këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë
Paçim fat tanimë kur kjo përpjekje thuajse dhjetëvjeçare, po i afrohet orës vendimtare të së vërtetës”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Kryeministri ka deklaruar më herët se po të arrihet komercializimi i naftës së zbuluar, Shqipëria do të kthehej në një fuqi të rëndësishme ekonomike në rajon.
/rtsh.al/