E Diel, 1 Nëntor 2026

Lvovski: BB, gati të rrisë mbështetjen për stabilitetin ekonomik

Partneriteti i Bankës Botërore me vendin tonë ishte tema që Kseniya Lvovsky, përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore për Zyrën e Shqipërisë, e trajtoi dje me studentët e Universitetit Europian të Tiranës. “Jetojmë në një kohë, kur disa nga ekuilibrat themelorë makroekonomikë kanë lëvizur drejt arritjes së një ekuilibri të ri në vitet që vijnë”. Pikërisht për qasjen që Banka Botërore ka me sfidat e reja të zhvillimit, iu drejtua dje të rinjve Kseniya Lvovsky, përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore për Zyrën e Shqipërisë. E ftuar nga drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës, ajo mbajti dje një leksion të hapur për studentët e Fakultetit Ekonomik të këtij universiteti mbi rolin e Bankës Botërore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, si edhe partneritetin e saj me vendin tonë. Në ligjëratën e saj ajo u ndal në gjendjen ekonomike të kohëve të fundit në shtetet e Europës Juglindore; konteksti i zhvillimit të Shqipërisë, Programi i Grupit të Bankës Botërore dhe mbështetja që BB i jep shoqërisë civile. “Nuk është inkurajuese kur lexon gazetat që shkruajnë rreth zhvillimit. Kur kam nisur punë në BB, shumë nga ju ishit fëmijë. Është e habitshme të shohësh tashmë ndryshimet e mëdha të shënuara në këto 20 vitet e fundit dhe çfarë ndryshimesh do të ketë në 20 vitet e ardhshme, kur ju do të filloni të përfshiheni në këto aktivitete”, - iu drejtua znj.Lvovski studentëve. Vendet me të ardhura të mesme, aty ku renditet edhe Shqipëria sipas BB, në këtë shekull shihen si burim potencial i rritjes ekonomike edhe i inovacioneve. “Ju do të jeni ata që do të përfshiheni në këto zhvillime të mrekullueshme”, - inkurajoi ajo të rinjtë. Ndërsa theksoi se për këto vende me të ardhura të mesme BB tashmë ka hartuar një axhendë specifike, e cila mbështetet në katër shtylla kryesore. Rritja e produktivitetit tanimë ka kaluar në një fokus më të lartë, siç është rritja e inovacionit teknologjik, përmirësimi i konkurrueshmërisë, arsimit të lartë dhe aftësive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›