Jakup Krasniqi: Me Thaçin konflikte parimore, jo personale

Në një intervistë për kanalin televizionin “News 24”, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi komentoi bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, situatën në veri të vendit, si dhe konfliktet brenda PDK-së mes tij dhe kryetarit Hashim Thaçi.
U mbyll një tjetër raund bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, si do i vlerësoni këto negociata dhe si duhet të jetë marrëveshja mes dy vendeve?
- Këto nuk janë duke u zhvilluar as me vullnetin e Serbisë dhe Kosovës, realisht janë rezultat i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i ngarkoi BE-së të mbikëqyrë bisedimet. Qëllimi i bisedimeve është normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve tona, dhe nëse këto bisedime përmbyllen me normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve tona do ishte sukses. Këto bisedime do ishin të plota vetëm nëse marrëveshja do të ishte e plotë, pra nëse Serbia e njeh pavarësinë dhe me këtë hapet rruga që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Ndryshe, nëse kjo është jo e plotë, atëherë pala kosovare duhet të jetë e kujdesshme se çfarë marrëveshje do arrijë.
Po përsa i përket situatës në Veriun e Kosovës, a besoni se mund të gjendjet një zgjidhje për këtë pjesë problematike?
- Çështja e veriut dihet, problemi nuk është në Kosovë dhe as në veri, por në Beograd, por komuniteti ndërkombëtar dhe EULEX nuk i ka kryer mirë detyrat, që ka pasur. Ne e dimë mirë se administrata ndërkombëtare gjatë kohës së saj ka prishur vendime të parëndësishme të komunave me shumicë shqiptare, mirëpo s’ka prishur asnjë vendim të atyre komunave që kanë punuar jashtë legjislacionit të kohës. Nëse marrëveshja do jetë e plotë, Serbia duhet të heqë dorë nga strukturat paralele.
Në media ka pasur jehonë debati juaj me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaci, njëkohësisht edhe kryetar i PDK-së, po flitet se do të largoheni nga kjo parti, dhe do krijoni subjektin tuaj politik , sa i vërtet është ky lajm?
- Demokracia ka bukurinë e vetë, sepse nuk zhvillohet pa ide dhe mendimeve të kundërta. Ne kemi konflikte parimore dhe jo personale me Thaçin. Unë i kam bërë publike vërejtjet e mia dhe çka mendoj për fenomenet politike në Kosovë, dhe në mënyrë të veçantë në ato që ndodhin në Partinë Demokratike. Dhe kam kërkuar demokratizim të brendshëm, në mënyrë që demokratizimi i brendshëm ndikon në demokratizimin e jetës institucionale dhe politike.
Pra, a do të largoheni nga PDK-ja?
- Varet nga zhvillimet që do të ndodhin brenda një kohe të caktuar.