Jakup Krasniqi, përsëri President i Kosovës, rimerr detyrën e Ushtruesit të Detyrës
Gjykata Kushtetuese ka dhënë sqarime shtesë në lidhje me vendimin për shfuqizimin e procedurave të zgjedhjes së presidentit, të cilat u konsideruan si jo-kushtetuese.
Në vendimin që përmban sqarime për pyetjet e parashtruara nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe z. Behgjet Pacolli, Gjykata vëren se vendimi i saj për të shfuqizuar mandatin e presidentit ka hyrë në fuqi më 31 mars.
Nga kjo datë, thuhet se Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, por nuk sqaron se cili është ai. Gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, Gjykata ka sqaruar se vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, nuk ka nevojë të zhbëhet Kuvendi dhe se vendi nuk është në vakuum institucional.
Ndërkaq, në pyetjen e parashtruar nga qeveria nëse është detyrim kushtetues prania e 2 të tretave të deputetëve në sallë, në rundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet direkt në rundin e tretë, po që se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, Gjykata është përgjigjur:
“...Gjykata rikujton që qëllimi i këtij sqarimi është ta sqarojë Aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes së Kërkesës. Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas këtij sqarimi, presidenti nuk mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë në dy rundet e parë kur kjo mund të bëhet vetëm me dy të tretat e deputetëve të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Prishtinë, vazhdojnë polemikat për zgjedhjen e Presidentit. AAK paralajmëron bojkotin nëse kandidon Pacolli
Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës, nuk do t’i kontribuoj në asnjë mënyrë procesit për zgjedhjen e presidentit nëse koalicioni qeverisës e propozon sërish, Behgjet Pacollin. Këtë qëndrim e shprehu sërish sot deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi. Ajo tha se po presin alternativat që do të ofrojnë partitë në koalicion për zgjidhjen e krizës së presidentit. Deputetja e AAK-së e pranoi se për momentin kjo parti nuk ka alternativë për zgjidhjen e krizës me presidentin, por la të kuptohet se strukturat drejtuese të AAK-së do të mblidhen për të diskutuar këtë çështje e më pas do të dilet edhe me alternativa konkrete.
...