E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minarja s'futet dot në thes

"Sigurisht, u dashkan ndjekur rrugët e gabuara, sepse ka nisur de facto fushata për zgjedhjet e pritshme, rezultatet e të cilave mund të rrezikojnë shumë shpejt dhe seriozisht vazhdimin e mandatit të kësaj qeverisjeje. Prandaj..."
Kjo thënie që zë këtu vendin e titullit, prej kohësh është artikuluar vazhdimisht nga njerëzit, për të sarkastuar publikisht faktet e prirjet për mashtrime apo grabitje të mëdha që nuk mund të mbulohen dhe as të fshihen. Distancimi nga akte të tilla të dëmshme, por edhe denoncimi i tyre, shpesh herë i ka detyruar qytetarët që të ngrenë zërin gjithnjë e më fort dhe i ka shtyrë ata që t'u drejtohen protestave masive, veçanërisht ndaj pushtetarëve që keq - administrojnë pasurinë e përbashkët të shoqërisë. Në ditët e sotme, disa forma demokratike të shprehjes së indinjatës individualisht ose edhe masivisht kudo në botë jo vetëm që pranohen juridikisht dhe vlerësohen moralisht, por edhe mbrohen ligjërisht, duke sanksionuar një katalog të gjerë të drejtash dhe lirish themelore, me ratifikimin e të cilit obligohen shtetet të respektojnë këto të drejta, si edhe të marrin masa për t'i garantuar ato. Në këtë katalog, sidomos në listimin e lirive vetjake spikat edhe e drejta për ta gëzuar paqësisht pronën private.
Por, në vendin tonë e vërteta në këtë drejtim është e përzhitur dhe e copëtuar aq tepër, sa që këtij realiteti të zymtë e të trishtuar i dedikohet edhe një pjesë e madhe e prapambetjes ekonomike që përjetohet nga mungesa e investimeve të huaja dhe krijimi i kontrastit të thellë në nivelin e jetesës midis shtresave të shoqërisë shqiptare. Do të ishte e mërzitshme, madje edhe e pamundur, që në një artikull të formatit të ngushtë gazetaresk t'u vihej gishti tërë atyre thagmave e gjëmave që janë bërë e bëhen te ne për regjistrimin zyrtarisht të pasurive reale dhe fiktive të mijëra e mijëra familjeve, të cilat tashmë i hedhin sytë tërë dyshim drejt organeve të pushtetit qendror. Dhe, dyshimi kthehet në mllef, që skuq edhe retinën e syrit, kur Kryeministri u mburret bashkëqytetarëve të vet se aktualisht Shqipëria na paskërka nivel të mesëm dhe të lartë jetese. Ndërkohë që, nga shqyrtimi i të dhënave që ofron Banka Botërore dhe organizma të tjerë të specializuar të vjen të vësh duart në kokë: gjatë vitit 2009 vendi ynë u rendit i parafundit në rajonin e Ballkanit (duke lë pas vetëm Kosovën) dhe të ardhurat për frymë u ulën me 8 për qind. Sa për vitin e kaluar dhe këta tre muajt e parë të 2011 - s nuk mund të presësh tjetër veçse një mynxyrë që përgënjeshtron bindshëm fjalët e Berishës dhe të INSTAT - it të komanduar prej tij.
Në këtë situatë, kur qeveritarët i vjedhin popullit votat, për t'i përlarë atij gjithnjë e më vrrullshëm pasuritë, Partia me pushtetin e vet të kriminalizuar përgatitet për zgjedhjet e pritshme të 8 majit me një tjetër logo, slogan a mesazh mashtrues të fushatës. Nga "Shqipëria po ndryshon" që këndonte më 2009 - n, tani përqesh qytetarët me një shaka shumë më të kripur: "Jeni ju të parët". A thua të merret vërtet seriozisht kjo hapje rruge tërë xhentilesë? A thua ta ndjejnë veten krenarë dhe të ngazëllyer tani qindra mijëra qytetarë të zhgënjyer? Gjithë ata të zhgënjyer edhe nga premtimet e pambajtura, edhe nga vjedhjet e paralajmëruara, edhe nga buzëqeshjet e helmatisura, edhe nga plumbat e porositura? T'u japësh një përgjigje mohuese këtyre pyetjeve sigurisht që është gjëja më e thjeshtë. Por, më prerazi dhe më bindshëm, këto përgjigje ua japin vëzhguesve të realitetit shqiptar të paktën ata 1 miljon njerëz që masin rrugët për të gjetur një vend pune, plot kryefamiljarë që rendin dridhmazi me faturat e pashlyeshme të energjisë e të ujit, të atillët e shpërfytyruar që vërtiten nëpër qytete duke i folur vetes nga streset dhe hallet që kokën ua bëjnë daulle, por edhe të tjerët që ndeshen me policinë për të mbrojtur të drejtat e tyre të ligjshme.
Nga këta të fundit, disa banorë kryesisht të Komunës së Farkës u panë javën e kaluar për disa ditë rradhazi tek përpiqeshin të ndalonin makineritë e zbarkuara përgjatë Kopshtit Botanik në periferi të kryeqytetit. A kishin të drejtë ata që, të penguar nga uniformat blu, të protestonin dhimbshëm, duke shkundur shkresa zyrtare? Sigurisht! Ata nuk kërkonin mos hapjen e Unazës së Madhe të Tiranës. Ata kërkonin të ndërpriteshin punimet deri sa shteti t'i informonte për dëmshpërblimin nga cenimi që do t'u bëhej pronave të tyre të ligjshme. Trego ata përpara kamerave edhe vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave, edhe çertifikatat e pronësisë, edhe ato të ashtuquajturat 'pasaporta' të tokës. Betohu se do të shkonin me këmbët e tyre pas hekurave nëse mashtronin. Por, nuk qe nevoja, kishte kush mashtronte. Nxirret një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve, që deklaron se trualli ku po kryhen punimet është pronë shtetërore dhe se banorët që protestojnë janë militantë të Partisë Socialiste. Jo, përgjigjen ata të irrituar, nuk jemi veçse pronarë të truallit ku ngrihet Unaza, vetëm këtu ndodh që shteti të merr tokën pa të pyetur fare, kur sipas procedurave ligjore Qeveria duhet të të kompensojë.
Nëse kjo protestë do të ishte e izoluar, jehona e saj do të fashitej shumë shpejt. Por, edhe për ndërtimin e plot rrugëve, ca të vjedhura e ca të pambaruara, protestat dhe indinjatat s'kanë të sosur. Kështu ka ndodhur me banorë të tokave ku kalojnë segmente të Rrugës Durrës - Kukës. Kështu po ndodh me banorë të zonave ku është projektuar të përgjatet Rruga Fier - Vlorë. Po kështu edhe me ata që ua përpin tokat Rruga Levan - Tepelenë, edhe me ata që uji i i H/C - ve me koncensione do t'u mbulojë gjithashtu shtëpitë dhe kokën, edhe me ata që Qeveria i fut në thesin e saj. Por, minarja s'futet dot në thes, ajo duket ashiqare prej së largu. Askush nuk po kompensohet, siç urdhëron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, veçanërisht në nenin 41, paragrafi 4 i të cilit shprehet: "Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë". Fakti që Ligji ynë Themelor i rendit të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve qysh në Pjesën e Dytë të tij, pra përpara organizimit dhe funksionimit të organeve shtetërore më të rëndësishme, nuk mund të mos shpjegohet, veç të tjerash, me parimin universal të botës demokratike që u njeh këtyre organeve si detyrë elementare respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të individit.
Në përputhje me këtë frymë, qysh vetëm dy vjet pas miratimit të Konventës Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, fillimisht me sanksionimin e 12 të tillave, u ndje e nevojshme të hartohej Protokolli nr.1 i kësaj Konvente, neni 1 i të cilit i garanton çdo "personi fizik ose juridik të drejtën për gëzimin në mënyrë paqësore të pasurisë së tij..." Ky nen u hartua qysh në vitin 1952 për të patur në përbërje tre rregulla të veçantë, midis të cilëve edhe të drejtën e Shteteve që të kontrollojnë përdorimin e pronës sipas interesit publik, ose interesit të përgjithshëm. Ndërkohë, nuk mungon as një rregull tjetër, krahas atij të natyrës parimore, të përgjithshme, sipas të cilit privimi i zotërimeve u nënshtrohet disa kushteve të caktuara, që të lënë të kuptosh se nuk është e mjaftueshme që ndërhyrja t'i shërbejë një objektivi legjitim: ajo duhet të jetë edhe proporcionale. Pra, sipas institucioneve europiane, e rëndësishme është që të konsiderohet fakti nëse një ndërhyrje ndaj pronës prish ekuilibrin midis mbrojtjes së të drejtës për ta gëzuar atë paqësisht dhe kushtit të interesit të përgjithshëm. Kështu, nuk mund të thuhet që ka një ekulibër të tillë të drejtë, nëse pronarit të ligjshëm i duhet të përballojë një "barrë individuale të tepërt".
Njëherazi, çdo ndërhyrje ndaj pronës duhet t'i nënshtrohet gjithashtu kushtit të sigurisë juridike, që është i shprehur qartë në fjalinë e dytë të paragrafit të parë të nenit 1 të Protokollit nr. 1, ku parashikohet që një privim i pronës duhet "t'u nënshtrohet kushteve të parashikuara nga ligji". Sidoqoftë, parimi i sigurisë juridike është i kudogjendur në Konventën e marrur si një e tërë, duke synuar ekzistencën dhe përputhshmërinë me dispozitat vendase të aksesueshme siç duhet dhe mjaftueshmërisht të sakta, për të përmbushur kërkesat thelbësore të konceptit 'ligj'. Kjo dispozitë e Konventës nuk shprehet për pagesën ndaj marrjes apo shtetëzimit të pasurisë, as edhe për ndërhyrje të tjera konkrete të pronës private. Por, në rastin e privimit nga ajo, në mënyrë të nënkuptuar qartazi kërkohet kompensimi. Megjithatë, në lidhje me këtë kërkesë të domosdoshme Gjykata e Strasburgut është shprehur gjatë shqyrtimit të disa çështjeve se, neni 1 nuk garanton të drejtën e një kompensimi të plotë në të gjitha rrethanat, duke pasur parasysh që objektivat legjitimë të 'interesit publik' ndonjëherë mund të kërkojnë rimbursim më të ultë sesa vlera reale e tregut. Por, nëse nuk bëhet fare vlerësimi financiar për cënimin e pronës private, GJEDNJ është shprehur se, nuk ka nevojë për të shkuar më tej, për të konsideruar legjitimitetin e objektivit të shtetit, ose çështjen e proporcionalitetit.
Në rrethanat aktuale të prapambetjes së ekonomisë shqiptare dhe keqpërdorimit të vazhdueshëm të pushtetit shtetëror në vendin tonë, e kuptueshme është që buxheti i zbrazur i shtetit s'mund të përballojë pagesën e asnjë lloj kompensimi. Atëhere, përse Qeveria ndërmerr tani, fjala vjen, ngritjen e Unazës së Madhe me burimet e veta, në një kohë që pikërisht prej kësaj arësyeje plani i Bashkisë së Kryeqytetit dhe fondet e nevojshme financiare të siguruara prej saj qenkan të destinuara të zhvoshken dhe treten? Sigurisht, u dashkan ndjekur rrugët e gabuara, sepse ka nisur de fakto fushata për zgjedhjet e pritshme, rezultatet e të cilave mund të rrezikojnë shumë shpejt dhe seriozisht vazhdimin e mandatit të kësaj qeverisjeje. Prandaj, me shpresën e shmangjes së këtij rreziku, Kryeministri del në skenë me ca pirueta e përulje dhe me harenë e të pafajshmit, duke ftuar tërë qytetarët: "Jeni ju të parët". Bën kështu, sepse publikut tonë iu dashka mbushur mendja në vërtetësinë e atyre fjalëve, me të cilat nisnin zakonisht pjesët teatrale të një rryme të hershme spiritualiste: "Edhe engjëlli, edhe djalli/ rrinë bashkë te i gjalli". Domethënë... te Saliu & Co.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›