E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guximtarja e Deçanit

E do shumë Kosovën, prandaj është kthyer të jetojë në të. Pesëmbëdhjetë ditë para se të shpallej pavarësia, nga Beogradi u kthye të jetojë në Deçan. Punon në administratën komunale dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me stafin që janë krejt shqiptarë. Përveç murgjve, ajo është e vetmja serbe që jeton dhe punon në këtë qytezë. Vesna Spaleviq flet për Express Nga Nexhmije Ahmeti më 03 janar 2011 në ora 10:00

Askush nuk e ruan. As nuk ka policë te dera e zyrës së saj. Del lirshëm nëpër qytet. Flet gjuhën e saj amtare. Madje punon në administratë komunale, ku i tërë stafi tjetër janë shqiptarë. Kjo nuk e pengon askënd. Kjo është Vesna Spaleviq.

E guximshme

Vesna është e vetmja serbe që jeton në Deçan, sigurisht, nëse nuk llogariten murgjit e Manastirit.

Banesa e saj gjendet në qendër të kësaj qyteze, në perëndim të Kosovës. Deçani, për shumë serbë konsiderohet vend problematik dhe i pamundshëm për të jetuar.

Kjo për shkak se në Rrafshin e Dukagjinit, ka pasur luftë të ashpër me shumë të vrarë dhe masakra të kryera nga serbët mbi shqiptarët, andaj hakmarrja ndaj atyre që nuk flasin shqip, konsiderohej e mundshme. Por jo tash. Ajo kohë duket se ka nisur t’i mbetet së kaluarës. Vesna është shembulli i fillimit të këtij ndryshimi.

Vesna është një grua e cila ka lindur në Beograd, në kryeqytetin e Serbisë. Por dikur kishte qenë edhe banore e Deçanit. Dashuria e saj për këtë vend ishte më e fortë sesa paragjykimet.

Ajo nuk mundi të jetojë larg vendit ku e kishte kaluar rininë. Andaj, vendosi të kthehej. Këtë e bëri vetëm 15 ditë para se Kosova të shpallej shtet. Ajo u kthye në Deçan më 2 shkurt të vitit 2008.

Por pse pikërisht në këtë kohë ndodhi kthimi. Pse jo më herët ose edhe më vonë?

Këtyre pyetjeve u jep përgjigje vetë Vesna. “Ka qenë ndoshta periudha më e vështirë për shumë njerëz, por kam konsideruar se kjo është mundësia ime që të marr këtë hap. Kur një popull arrin ëndrrën e tij shekullore, kam konsideruar se askush nuk do të më kishte shikuar si problem, sepse secili e ka shikuar punën e vet”, rrëfen Vesna për Express. Kështu, duket se llogaritë e saj i kanë dalë ashtu siç i ka bërë. Ashtu kishte menduar dhe ashtu i doli.

Mbështetje nga komandanti i UÇK-së

Askush deri më tani nuk e ka shikuar me sy të keq- përkundrazi. Ajo punon në një zyrë me shqiptarë. Fqinjët i ka shqiptarë. Shokët, shoqet, të gjithë miqtë i ka shqiptarë. Përveç kësaj, ajo del edhe nëpër qytet, shkon në kafiteri, udhëton lirshëm. Me një fjalë, e jeton jetën sikurse banorët e tjerë të Deçanit.
Për tërë këtë që ka bërë, ajo thotë se e ka mbështetjen e një njeriu.

Ishte Ramush Haradinaj ai që e ka mbështetur dhe ndihmuar. Vesna ka vetëm fjalë të mira për të. Në shenjë mirënjohjeje për Haradinajn, në zyrën e saj janë të varur fotografitë të Ramushit me uniformë ushtarake të UÇK-së dhe një tjetër e pasluftës. Vesnën nuk e pengoi fakti se Haradinaj ka qenë komandant i një ushtrie që ka luftuar me policë dhe ushtarë të një regjimi që dikur kishte instaluar Serbia në Kosovë.

Ai e ka ndihmuar Vesnën, në kohën kur ajo ishte kthyer për të jetuar në Kosovë. Thotë se takimet e tij me të dhe mbështetja që ai i ka dhënë, ka ndikuar edhe te qytetarët e Deçanit që ta pranojnë atë në mesin e tyre.
“Kur jam kthyer, ai më ka vizituar, më ka gjetur punën, më ka dhënë përkrahje dhe ky angazhim i tij ka bërë që edhe qytetarët të më duan”, thotë Vesna.
Madje, thotë se Ramush Haradinaj e ka pasur më vështirë sesa vetë ajo.
“Të gjithë e dinë se çka ka ndodhur këtu. Ka pasur shumë vuajtje, shumë të vrarë. Dhe ai si një ish-udhëheqës i luftës e ka pasur vështirë që ata njerëz që kanë vuajtur, t’i bindë që të më pranojnë mua në mesin e tyre”, thotë e vetëdijshme Vesna.

Por përkrahja për njeriun që ajo e quan lider të popullit, nuk ka munguar as nga ana e saj. Ajo publikisht ka dalë në mbrojtje të Haradinajt, kur është dërguar në Tribuinalin e Hagës.

“E kam parë të nevojshme që ta mbështes dhe t’iu tregoj të gjithëve se ai njeri që po akuzohet për krime lufte, pas luftës iu ka ndihmuar edhe serbëve”, thotë Vesna

Kthimi i vështirë

Vesna Spaleviq i kishte hyrë një aventure që për familjarët e saj, ishte e pakuptimtë dhe e pamundshme. Por ajo vendosi të kthehej. Kthimin e saj e kishin kundërshtuar pothuajse të gjithë në familjen e saj. Por për tërë këtë gjë që bën, ajo thotë se ka një shpjegim.

“Vetëm kështu mendoj se mund të kontribuoj për shoqërinë, për komunitetin tim, për të ardhmen e të gjithëve”, thotë Vesna.

Këtë kontribut ajo mendon se mund ta japë pikërisht nga Deçani, vend për të cilin njerëzit që nuk jetojnë në të, e mendojnë ndryshe.

“Sepse nuk kanë pasur një pasqyrë reale për Kosovën e pasluftës”, thotë e bindur ajo.

“Ne të gjithë e dimë çka ka ndodhur dhe të gjithë ata që nuk kanë qenë në Kosovë pas vitit 1999, kanë menduar se asgjë nuk ka ndryshuar. E, unë mendoj se ka ndryshuar shumë. Liria e lëvizjes, të gjitha”, thotë serbja e Deçanit.

Vesna Spaleviq thotë se vendimi i saj ishte sa i vështirë, aq edhe sfidues.
“Duhet shkuar hap pas hapi. Njeriu duhet të jetë i kthjellët dhe duhet ta dijë me çfarë letrash duhet të luajë”, thotë Vesna. Ajo është e lumtur se duke u kthyer ka mundësi që t’u ndihmojë njerëzve, por edhe të japë shembull për të tjerët se nuk është ashtu siç thuhet për Kosovën.

“Me këtë punë që bëj, kam mundësi që t’i takoj dhe t’u ndihmoj të gjithëve. Edhe shqiptarëve, serbëve, romëve, ashkalinjve, etj. Nëse nuk do të vija, si do t’u ndihmoja atyre”, pyet ajo.

Porosia

Duke qenë se fëmijët i jetojnë në Serbi, ajo udhëton shpesh për atje. Thotë se ka shumë serbë të interesuar që të kthehen në Kosovë, por kushtet ekonomike ua pamundësojnë atë.

Vesna ka një porosi për të gjithë bashkëkombësit e saj. Secili ta shikojë interesin dhe të drejtën e tij, e politikën t’ua lërë politikanëve. Ajo mendon se duke jetuar me të tjerët, së bashku mund ta ndërtojnë ardhmërinë e tyre.
“E vetmja mënyrë për ta ndërtuar ardhmërinë dhe për ta mbrojtur të drejtën e secilit është që këto t’i mbrojnë në shtetin e Kosovës”, thotë Vesna për Express.

Vesna ka garuar për deputete të Parlamentit të Kosovës dhe thotë se do mundohet që të bëjë më të mirën për vendin.
Ajo shpreson për ditë më të mira në shtetin e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›