E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jakupi “out”, Kadriu “in”

Më i rëndësishëm në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi është bërë një anëtar "i thjeshtë" i PDK-së, Kadri Veseli, sesa njëri nga themeluesit e kësaj partie, Jakup Krasniqi. Derisa Veseli është “in” dhe i pranishëm pothuajse në të gjitha kuvendet e degëve të partisë, sektari i përgjithshëm i PDK-së vazhdon të jetë “out” dhe i “izoluar” tërësisht.

Kuvendet zgjedhore që janë mbajtur në 24 degët e partisë në pushtet nuk po arrijnë që t’ia mbushin mendjen Jakup Krasniqit për të qenë pjesë e proceseve të zgjedhjeve të brendshme, sidomos në kohën kur janë shpërfaqur edhe më shumë inatet dhe thyerjet e mëdha që ekzistojnë në mes tij dhe lidershipit të partisë dhe anëtarëve me ndikim në PDK.

Krasniqi, i cili është sekretar i përgjithshëm i PDK-së nuk ka marrë pjesë në asnjë kuvend zgjedhor të degëve që po organizohen nga ky subjekt politik, madje as në degën e Drenasit prej nga vjen vetë ai, shkruan "Zeri".

Pavarësisht përplasjeve dhe përçarjeve brenda PDK-së, analistët politikë vlerësojnë se “izolimi” i Jakup Krasniqit mund t’i kushtojë atij personalisht, pasi që në këtë formë pamundëson ndikimin e tij në parti.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Behxhet Shala vlerëson se mosprezenca e Krasniqit në kuvendet e degëve të PDK-së po reflekton mosmarrëveshjet që i kanë me sekretarin e partisë disa njerëz me ndikim në PDK./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›