E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende me telashe Zyra Administrative në veri

Vazhdojnë përplasjet në mes të Zyrës Administrative në veri dhe Komunës së Mitrovicës në ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive. Komuna e Mitrovicës nuk ia ka bartur zyrës gjithë dokumentacionin dhe ende vazhdon të mbledh dhe të pranoj taksa për pjesën që në administrativisht i takojnë Zyrës Administrative në veri.

Është dashur sërish ndërhyrja e Qeverisë për t’i bërë të ditur Komunës së Mitrovicës që të mos përzihet në kompetencat e Zyrës Administrative të veriut. Kësaj të fundit i janë dhënë kompetencat pothuajse të një komune, ndonëse ligjërisht nuk po mund të themelohet Komuna e Mitrovicës së veri e paraparë me pako të Ahtisaar-it.

Komuna e Mitrovicës vazhdon të mbledh taksa dhe kryej shërbime për pjesën që administrativisht nuk i takon më asaj. Adriana Hoxhiq, shefja e kësaj Zyrës në veri i ka thënë Radio Kosovës se pret që deri në fund të shkurtit të gjitha dikasteret të bëhen funksionale. Ajo ka thënë që Komuna e Mitrovicës duhet të ndërpres përzierjen në punët që tashmë i takojnë zyrës që ajo udhëheq.

“Ne tërësisht qëndrojmë pasa vendimit të qeverisë që thotë se komuna jugore nuk ka asnjë kompetencë në veri. Tranzicioni po vazhdon dhe nuk po them që gjerat po shkojnë aq normalisht apo aq butë. Kështu që nuk jam e sigurt nëse i gjithë stafi i Komunës jugore të Mitrovicës po e kupton që nuk ka më kompetenca në veri”, ka thënë Hoxhiq.

Hoxhiq i ka përkujtuar Kryetarit të Komunës, se kanë një memorandum bashkëpunimi për t’u respektuar. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka thënë se nuk ka përplasje, por ka paqartësi në vendimet e Qeverisë.

“Fakti që disa vendime që merr Kuvendi Komunal i jugut janë lënë që të vlejnë edhe për veri mund të sjell ngatërresa sigurisht”, ka thënë Kastrati.

Por, Besnik Osmani, Sekretar i Përhershëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal ka thënë se kompetencat e të dy palëve janë mjaft të sqaruara.

Zyra Administrative vazhdon të ankohet edhe në zyrën e UNMIK-ut e cila paligjshëm vazhdon të mbledh taksa dhe të kërkoj leje ndërtimi nga banorët e veriut.

Komuna e Mitrovicës në veri është e vetmja nga komunat e reja të parapara me pakon e Ahtisarit që ka dështuar të themelohet. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›