Jala, dështim për Bankën Botërore, sukses për qeverinë
Ndërsa Banka Botërore ka pohuar se projekti është skandaloz, Ministria e Transporteve, në një reagim të bërë dje, është shprehur se ai ka qenë i suksesshëm. Një fakt i tillë është pohuar në deklaratën zyrtare të këtij institucioni, pas përfundimit të mbledhjes së Bordit të Drejtorëve në Uashington nga zëdhënësja Erla Mëhilli. Në lidhje me akuzat për abuzime në realizimin e projektit, ajo theksoi se ato, “janë probleme të brendshme të Bankës Botërore”. Sipas njoftimit për shtyp, “këto probleme kanë të bëjnë me përputhshmërinë, me politikat dhe procedurat e vetë Bankës qysh gjatë konceptimit të projektit në vitin 2004 e në vijim dhe aspak me çështje të lidhura me Qeverinë e Shqipërisë apo Zyrën e Koordinimit të Projektit”. Por në ndryshim nga vetë deklarata e Bankës Botërore, e cila ka pezulluar projektin dhe vihet në dyshim vijueshmëria e tij, zëdhënësja thotë: “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve rikonfirmon që projekti ‘Menaxhimi i Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare’ është projekt i suksesshëm, i cili për herë të parë integron planet zhvillimore me investimet publike”. Disa ditë para zhvillimit të mbledhjes së Bordit të Drejtorëve të BB-së në Uashington, pikërisht në momentin kur media e paraqiti si skandal çështjen e projektit të Jalës, Ministria e Transporteve deklaroi publikisht se nuk është abuzuar me zbatimin e tij nga Njësia e Koordinimit të Projektit, që ishte në varësi të këtij institucioni.
Skandali “Që nga menaxhimi bazë i projektit deri te ndërveprimet me Bordin dhe Panelin e Inspektimit, të dhënat e Bankës për Projektin janë shokuese”, - tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Robert B. Zellik, i cili i ka i kërkuar këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të Bankës që të hetojë çështjen, që më pas i është referuar Departamentit të Integritetit Institucional në Bankë (DII). “Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e ngritura nga Paneli i Inspektimit dhe po lëvizim shpejt për të forcuar mbikëqyrjen, për të përmirësuar procedurat dhe për të ndihmuar familjet, të cilave u janë prishur ndërtesat e tyre. Banka nuk mund ta lejojë këtë të ndodhë përsëri”, - tha Zellik. Në fillim të vitit 2004, qeveria e Shqipërisë kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për krijimin e një kuadri që do t’i mundësonte vendit zhvillimin e Bregdetit në mënyrë të qëndrueshme. Në përgjigje të saj, Banka Botërore punoi me autoritetet shqiptare për të përgatitur një projekt për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare (ICZMBP), i cili synon mbrojtjen e burimeve bregdetare dhe kulturore përmes promovimit të përdorimit të qëndrueshëm të tokës, pjesëmarrjes së komunitetit dhe përmirësimit të kushteve mjedisore. Projekti u miratua më 21 qershor 2005. Në përgjigje të një kërkese nga familjet në Jalë, në gusht 2007 Paneli i Inspektimit hetoi zbatimin nga ana e Bankës Botërore të politikave të saj operacionale për përgatitjen, vlerësimin dhe zbatimin e projektit, si dhe hetoi dëmin apo dëmin potencial të njerëzve të prekur. Paneli i Inspektimit paraqiti raportin e tij më 1 dhjetor 2008. Projekti u pezullua nga ekipi i menaxherëve më 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar derisa të merret një vendim ose për të ristrukturuar projektin pa aktivitetet e planifikimit të tokës, ose për anulimin e plotë të tij. Në bazë të hetimeve përfundimtare do të varet se çfarë do të bëhet me pjesën e mbetur të fondit prej 39 milionë dollarësh të parashikuar për menaxhimin dhe pastrimin e Bregdetit.
19 Shkurt 2009