E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dhënat e Jalës janë shokuese, por nuk ka ndëshkime

Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore pranon gabimet e bëra në zbatimin e projektit . Paneli i Inspektimit nuk kishte mandat hetimi për zyrtarët e bankës ose të qeverisë

Banka Botërore ka pranuar fajin për projektin e Jalës, të konsideruar si skandaloz, duke u treguar e gatshme të paguajë edhe dëmin, duke lënë të hapur mundësinë për hetime të mëtejshme deri në gjetjen e fajtorëve. Ky ka qenë konkluzioni i takimit të Bordit të Drejtorëve të zhvilluar dy ditë më parë në Uashington ku është diskutuar për “Projektin e Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare” në jug të vendit. Në mbyllje të takimit, ku u shqyrtuan Raporti dhe Plani i Veprimit pas hetimit të bërë nga Paneli i Inspektimit, i cili u vu në lëvizje pas denoncimeve të bëra nga banorët e Jalës, nuk janë komunikuar masa ndëshkimore. Plani i veprimit parashikon marrjen e një sërë masave në mbështetje të banorëve të dëmtuar në Jalë. Sipas njoftimit zyrtar të BB-së thuhet se “asnjë nga zyrtarët e qeverisë (shqiptare, - shën. gaz.), anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja (Departamenti i Integritetit Institucional të BB –së (për korrupsion). Siç thuhet edhe në deklaratën e dy ditëve më parë, Paneli i Inspektimit nuk e ka në mandatin e tij të hetojë, por priten hetimet nga strukturat përkatëse të Bankës Botërore që të nxjerrin autorët e abuzimeve. Kjo nuk kupton që autoritetet shqiptare të mos hetojnë për abuzimet që përflitet se janë bërë.
Vendimi
Bordi i Drejtorëve të Bankës shqyrtoi dy ditë më parë një raport dhe Plan Veprimin pas hetimeve të ndërmarra nga një grup i pavarur inspektimi për projektin në Shqipëri. Hetimi rreth Projektit për Menaxhimin dhe Pastrimin e Integruar të Zonës Bregdetare ishte kërkuar nga familjet që u dëmtuan nga prishja e ndërtesave në Jalë në prill të vitit 2007. Raporti pranon se u bënë gabime serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit si dhe në komunikimin me Bordin e Bankës Botërore.
Në bazë të Planit të Veprimit, do të ndërmerren një sërë masash me mbështetjen e Bankës Botërore. Sipas Bankës, ato përfshijnë rishikimin ligjor rast pas rasti të prishjeve të banesave në zonën e projektit, caktimin e një vëzhguesi të pavarur për monitorimin e këtij procesi dhe pagimin e ndihmës juridike për rishikimin e secilit rast për të cilin janë bërë ankesat. Plani parashikon gjithashtu paketa ndihmash për personat e varfër të prekur nga shkatërrimet, duke e llogaritur këtë ndihmë që nga koha kur u prishën shtëpitë.
Bordit të Bankës do t’i raportohet pas tre muajsh lidhur me përparimin e bërë.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›